njofto
Advanced Poll
Kush jane fituesit e zgjedhjeve 2013
Partia Demokratike
PD + LSI + PDIU
Partia Socialiste
PS + AK + FRD
PS + LSI + AK + FRD
PS + AK + FRD + PDIU


View results
Version 2.08
 Kursi Ditor
USD / LEK 109.57
EUR / LEK 139.50
GBP / LEK 173.76
CHF / LEK 115.88
Ndryshimi i fundit: 16.11.2012
Pėr mė shumė

Interesat e Instrumenteve tė Bankės
Marre nga Banka e Shqipėrisė
Letra publike, ankese nga 20 te shkarkuarit nga Ministria e Drejtesise
Shtuar me date:2010-02-22 18:34:22

L E T Ë R   E   H A P U R
 
 
Drejtuar:   KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
       
                           SH.T. Z. SALI BERISHA
          
           AVOKATIT TË POPULLIT
 
                   KËSHILLIT TË EUROPËS

                   KOMISIONIT EUROPIAN

                   AMBASADËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

                   OSBE

                   USAID

       EURALIUS

       TË GJITHA MEDIAVE ELEKTRONIKE DHE TË SHKRUARA

Për dijeni: MINISTRIT TË DREJTËSISË

                    Z. Bujar NISHANI

            DEPARTAMENTIT TË ADMINISTRATËS PUBLIKE
 
                                        TIRANË

Lënda :   Reformë e gabuar dhe antiligjore në Ministrinë e Drejtësisë, me pasoja për integrimin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë.

Tiranë, më 22.02.2010


Të nderuar zotërinj,

Me këtë letër të hapur, jemi të detyruar të shprehim indinjatën tonë të thellë lidhur me shkeljen e rëndë që i bëhet të drejtave të punonjësve të administratës publike dhe Ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Për statusin e nëpunësit civil”, nga funksionarë apo drejtues të Ministrisë së Drejtësisë dhe Departamentit të Administratës Publike.
Duke njohur angazhimin tuaj në garantimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut si dhe kërkesat e vazhdueshme për forcimin e kapaciteteve administrative dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së administratës, në funksion të së ardhmes tonë europiane, kërkojmë vëmendjen Tuaj në lidhje me reformën e gabuar dhe antiligjore që po kryhet në Ministrinë e Drejtësisë.

Sikurse mund të jeni në dijeni, me Urdhërin nr. 29, datë 05.02.2010 të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Ministrisë së Drejtësisë”, është miratuar struktura dhe organika e re për Ministrinë e Drejtësisë. Sipas këtij ristrukturimi të pastudiuar, të propozuar nga Ministri i Drejtësisë, numri i punonjësve në total për këtë institucion ndryshon nga 136, në 122 punonjës. Edhe pse ky ristrukturim është prezantuar nga drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë si reformë, qëllimi i vetëm i këtij ristrukturimi ishte largimi i disa punonjësve të këtij institucioni. Jemi të detyruar të shprehim se kjo që po ndodh nuk është reformë por anti-reformë, në shkatërrim të plotë të institucionit të Ministrisë së Drejtësisë dhe shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut.

Në zbatim, jo korrekt, të kësaj strukture, janë larguar nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë dhe janë vendosur në listë pritjeje 20 punonjës, me justifikimin se vendet e tyre te punës janë konsideruar të tepërt në riorganizim. Ndërkohë që shumica e këtyre pozicioneve janë akoma ekzistentë, por vetëm se i është ndërruar emërtimi i sektorit apo drejtorisë përkatëse.

Këto veprime janë në kundërshtim me nenin 23, pika 2, të Ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Për statusin e nëpunësit civil”, ku thuhet se:

“Në rastet e ristrukturimit të institucioneve të administratës publike, nëpunësve civilë vendet e të cilëve janë deklaruar të tepërt, do t’u ofrohet një vend i të njëjtit nivel në një ministri apo institucion tjetër të administratës publike qëndrore apo vendore ose në pamundësi, një vend i një niveli më të ulët…”;

si dhe me nenin 15, pika 1, ku thuhet se:

“Përpara se të fillojë procedura e pranimit në shërbimin civil, vendi i lirë u ofrohet nëpunësve civilë ekzistues nëpërmjet procedurave të lëvizjes paralele dhe më pas në qoftë se vendi i lirë nuk plotësohet, nëpërmjet procedurave të ngritjes në detyrë.”.

Dalja në listë pritjeje rregullohet edhe nga Vendimi nr. 360 datë 14.7.2000 i Këshillit të Ministrave “Për lirimin nga Shërbimi Civil”, ku parashikohet se:

“8. Vendimi i sekretarit të përgjithshëm, për kalimin e nëpunësit në listën e pritjes, për shkak të ristrukturimit të institucionit, mbështetet në krahasimin e përshkrimit të punës që ka kryer nëpunësi deri në çastin e ristrukturimit me përshkrimin e punës për vendet e mbetura, të ristrukturuara  apo me vendet e reja, të krijuara, si dhe në vlerësimin e rezultateve individuale në punë dy vitet e fundit.”

“9. Nëpunësit, të cilët kanë kryer punë me përshkrim të njëjtë apo të ngjashëm, me përshkrimin e vendeve të reja, të krijuara apo të mbetura, dhe të ristrukturuara dhe që janë vlerësuar pozitivisht në dy vitet e fundit, do të mbahen në punë në kufirin e përgjithshëm të vendeve të miratuara.”
 
Gjithashtu, denoncojmë faktin e turpshëm, të Departamentit të Administratës Publike (DAP)  i cili me qëndrim jo serioz dhe në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Për statusin e nëpunësit civil” miraton daljen në listë pritje të 20 punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë.

Në zbatim të strukturës së re nga DAP, me shkresën nr. 287/1 Prot., datë 18.02.2010  janë konfirmuar si nëpunës civil pas ristrukturimit vetëm 41 punonjës, ndërkohë që sipas strukturës së re Ministria e Drejtësisë ka 122 punonjës. Nga një llogaritje e thjeshtë matematikore rezulton se në Ministrinë e Drejtësisë janë gjithsej më shumë se 60 vende pune të lira. Atëherë mbi çfarë bazë ligjore DAP miraton daljen në listë pritjeje të 20 punonjësve dhe nuk sugjeron sistemimin e tyre në vendet e lira të punës? Më i rëndë bëhet fakti që me shkresën nr. 217/1 Prot., datë 08.02.2010 të Departamentit të Administratës Publike,  ky institucion ka miratuar emërimin e përkohshëm në detyrë me kontratë pune të 12 punonjësve. Ligjërisht këto pozicione, në kuptim të nenit 23 të Ligjit për statusin e nëpunësit civil, konsiderohen të lira dhe duhet t’i ofrohen më parë personave që janë nxjerrë në listë pritje. Për më tepër, si pasojë e ndryshimit të emërtesave për disa sektorë të Ministrisë së Drejtësisë, aktualisht shume vende janë bosh.

Gjithashtu, sjellim në vëmendjen Tuaj se vetëm në dy drejtori janë këto pozicione të lira:

A)    Në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit janë aktualisht këto pozicione të lira:
-    Drejtori i Hartimit dhe Përafrimit të Legjislacionit;
-    Përgjegjës në Sektorin e Hartimit të Legjislacionit;
-    Përgjegjës në Sektorin e Mendimit Juridik;
-    Përgjegjës i Sektorit të Drejtësisë për të Mitur dhe të Drejtës Familjare;
-    Specialist në Sektorin e Drejtësisë për të Mitur dhe të Drejtës Familjare;
-    2 vende për Specialist në Sektorin e Kodifikimit.

B)    Në Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë:
-    2 vende për Inspektor në Sektorin e Inspektimit të Çështjeve të Pronësisë;
-    1 vend për Inspektor në Sektorin e Inspektimit të Zbatimit të Drejtësisë;
-    Përgjegjës i Sektorit të Inspektimit të Zbatimit të Drejtësisë;
-    3 vende në Sektorin e Organizimit dhe Trajnimit Gjyqësor.

Mosreagimi i Departamentit të Administratës Publike në lidhje me sa më sipër, të çon të mendosh se edhe ky institucion i ngritur për mbrojtjen e të drejtave të nëpunësve civilë dhe garantimin e respektimit të ligjit të nëpunësit civil, në fakt është kthyer në mbrojtës të listës së punonjësve të rinj që priten të sistemohen në vendet që janë vakante apo të personave të marrë me kontratë pune. Veprimtaria e DAP në shpërdorim të detyrës dhe në shkelje flagrante të ligjit, hedh hije të rënda dyshimi mbi këtë institucion dhe vë në pikëpyetje nevojën e ekzistencës së tij. Po aq në pikëpyetje është sot dhe qëndrueshmëria dhe siguria e punonjësit të administratës publike.

Përse në Ministrinë e Drejtësisë vazhdon dhe sot të merren punonjës të rinj,  ndërkohë që punonjësit aktual “dalin të papunë” ??????

A është kjo një shkurtim strukture dhe organike apo thjesht justifikim për të zëvendësuar punonjësit aktual me ata të rinj ??????

DAP është institucion i krijuar me ligj për shmangur abuzimet në rekrutimin në administratë publike dhe për të mbrojtur të drejtat e nëpunësve civilë, por sikurse rezulton ky institucion është kthyer në një vegël në duart e titullarëve të Institucioneve Qendrore. Shtrojmë pyetjen: A ka nevojë Shqipëria për institucione që nuk përmbushin as funksionin e tyre ligjor? A duhet të paguhen këta njerëz me taksat e qytetarëve shqiptarë?

Ndjehemi akoma dhe më të fyer për faktin se jemi të gjithë të një formimi “Jurist” dhe me ekperiencë pune dhe pjesëmarrës në dhënien e mendimeve, hartimin apo draftimin e akteve ligjore dhe nënligjore dhe jemi pikërisht ne që bëhemi viktima të mosrespektimit dhe shkeljes së ligjit, dhe kjo nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit nëse ne do vazhdojme të heshtim.

Pa dashur të analizojmë, cilësitë, aftësitë, vjetërsinë e punës apo CV-të e pasura të këtyre punonjësve, duhet të theksojmë faktin se këta punonjës janë një pjesë e mirë jo vetëm e “memories” së këtij institucioni, të cilët do të ishin shumë të dobishëm në vazhdimësinë e mirëfunksionimit të institucionit dhe në përmbushjen e detyrave të tij. Një pjesë e rëndësishme e këtyre punonjësve përveç vjetërsisë në punë dhe eksperiencës që kanë përfituar, kanë kryer kualifikime pasuniversitare, janë trainuar dhe kualifikuar brenda dhe jashtë Shqipërisë nga organizata të huaja si Këshilli i Europës, OSBE, USAID, etj.

Duke patur parasysh që këto punonjës përveç punës në pozicionet e tyre si specialist, përgjegjës sektori apo inspektorë, jashtë përshkrimit të tyre të punës, janë angazhuar maksimalisht duke punuar me orë të zgjatura apo ditë pushimi për realizimin e objektivave dhe përparësive të programit politik të Këshillit të Ministrave.  Këta punonjës janë përfshirë në përpunimin e dosjeve për dëmshpërblimin financiar të ish të dënuarve politikë, në zbatim të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, duke kontribuar në realizimin e një prej premtimeve më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Gjithashtu, kanë dhënë maksimumin në realizmin me sukses të plotësimit të përgjigjeve të Pyetësorit të Bashkimit Evropian, një punë kolosale, me cilësi dhe e mbaruar brenda afateve të caktuara.  Shpërblimi i vetëm i gjithë këtij angazhimi ishte largimi i pamotivuar nga puna.

Nisur nga rëndësia shumë e madhe që kishte për shtetin shqiptar  plotësimi i pyetësorit duhej që këto punonjës të promovoheshin apo shpërbleheshin qoftë dhe moralisht dhe jo të “flakeshin në rrugë” duke i zëvendësuar me njerëz të rinj, me justifikimin e ristrukturimit.

Duke dashur të theksojmë rëndësinë e madhe që ka mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të nëpunësve civil  ju rikujtojmë se një nga pyetjet e pyetësorit të Bashkimit Evropian  (Pyetja nr. 33-Kriteri Politik) ishte:

“Cila është baza ligjore e statusit të punonjësve civilë dhe punonjësve të tjerë publike? A ka ndonjë ligj për administratën publike apo rregullore që përshkruan statusin e punonjësve civile, përfshirë pavarësinë, punësimin dhe strukturat e karrierës dhe shpërblimin e tyre? A janë të përfshira në kuadrin ligjor parimet e Administratës Publike Evropiane, sikundër janë përcaktuar nga SIGMA?”;

për të cilën Ministri i Drejtësisë ka firmosur këtë përgjigje:

“Marrëdhëniet e punës së nëpunësve civilë rregullohen me Ligjin nr. 8549, datë 11/11/1999, të Kuvendit, “Statusi i nëpunësit civil”, botuar në Fletoren Zyrtare nr, 36, faqja 1381, data e botimit te Fletores Zyrtare 12/01/2000.  Ligji Nr.8549, datë 11.11.1999, përcakton rregulla të njëjta për kushtet dhe proçedurat e pranimit në shërbimin civil, mënyrën e fillimit dhe mbarimit të marrëdhënieve të punës, zhvillimin e karrierës, garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të nëpunësve civilë, me synim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional dhe efiçent.  Neni 3 i tij përcakton parimet e shërbimit civil dhe më konkretisht: (i) profesionalizmi, (ii) pavarësia dhe integriteti, (iii) paanësia politike, (iv) transparenca në shërbimin ndaj publikut, (v) vazhdimësia në karrierë.  Neni 12, 13, 14 dhe 15 i këtij ligji, përcakton kriteret e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, periudhën e provës së nëpunësve civilë, si dhe procedurën për zhvillimin e karrierës së nëpunëve civilë (ngritja në detyrë dhe lëvizja paralele).  Parimet për një administratë publike evropiane, të identifikuara sipas SIGMA, janë të mishëruara në legjislacionin e shërbimit civil. Konkretisht, legjislacioni përcakton një ndarje të qartë midis korpusit të nëpunësve civilë dhe funksionarëvë politikë. Përcaktimi i Sekretarit të Përgjithshëm, si niveli më i lartë menaxhues i shërbimit civil dhe si pika lidhëse në trasnferimin e orientimeve politike të programit të qeverisë tek nëpunësit civilë, garanton pavarësinë dhe proporcionalitetin e veprimeve dhe vendimeve të nëpunësve civilë në kryerjen e detyrave të tyre, në përputhje me legjislacionin e përcaktuar në fushën përkatëse.....”.

Por siç duket qëndrimi i Ministrit të Drejtësisë është i drejtë vetëm në teori, se në praktikë veprohet krejt ndryshe. A mundet sot pas këtij veprimi, Komisioni Europian të besojë si të vërteta përgjigjet e dhëna nga qeveria shqiptare? A mundet që përshkrimi i legjislacionit të jetë justifikimi i vetëm për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të nëpunësve civilë? Përgjigjen, edhe pse nuk urojmë të jetë negative, besojmë se do ta japë vetë Komisioni Europian.

E parë në këndvështrim tjetër, nga këto veprime të turpshme dhe të padenja për një titullar institucioni, përveç dëmit moral që i bëhet këtyre punonjësve, shkaktohet dhe dëm i madh ekonomik për shtetin (përafërsisht në vlerën 17 000 000 lekë/në vit), pasi kemi një dublim pagash. Në bazë të Ligjit “Për statusin e nëpunësit civil”, këta punonjës përgjatë 1 viti gëzojnë të gjithë të drejtat e nëpunësit duke përfituar dhe pagesën në listë pritje, ndërkohë që paguhen për të njëjtat pozicione dhe punonjës të rinj të punësuar me kontratë pune. Për këtë fakt do t’i drejtohemi me një tjetër letër dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në vijim të “reformës” që po ndërmerret disa punonjësve të tjerë po iu bëhet presion i tmerrshëm psikologjik për dorëheqje e në rast kundërshtimi,  po merren masa disiplinore fiktive për të bërë të mundur largimin e tyre nga institucioni dhe nga shërbimi civil, me arsye qesharake për çdo person me formim minimal juridik. Për këtë fakt i janë dërguar nga vetë këta persona sms dhe e-mail në adresë të Z. Kryeministër dhe jemi ende në pritje të reagimit të tij zyrtar. Nga ana tjetër, si pasojë e ristrukturimit, disa punonjës që kanë pasur funksione drejtuese (si përgjegjës sektori apo drejtorë) janë ulur në detyrë pa asnjë shkak të ligjshëm.

Së fundmi, për të gjitha këto shkelje të rënda të ligjit por edhe për arsye të tjera të cilat nuk po i listojmë në këtë letër, Ju bëjmë me dije të nderuar  zotërinj, se jemi duke përgatitur një kallëzim penal drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Deparatmentit të Administratës Publike, të cilët në bashkëpunim kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar në Nenet 248 dhe 25 e vijues të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, ju bëjmë të ditur se ne do të konsumojmë të gjithë mjetet ligjore për të kundërshtuar aktin si një akt absolutisht të pavlefshëm, dhe në rast mosreagimi nga institucionet shtetërore do t’i drejtohemi dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sqarojmë se ky qëndrim mbështetet dhe nga punonjës të tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët aktualisht vazhdojnë të jenë pjesë e stafit të Ministrisë së Drejtësisë. Të gjithë punonjësit e Ministrisë së Drejtëisë solidarizohen me qëndrimin tonë për respektimin e ligjit dhe për mosshkatërrimin me arsye të pabaza ose fare pa arsye të një institucioni të ngritur me punën disavjeçare, të palodhshme të stafit të kësaj Ministrie, ku përfshihen dhe personat aktualisht të liruar nga detyra. Këta punonjës janë të gatshëm për të firmosur këtë letër të hapur. Por, me dëshirën për të mos pësuar edhe ato fatin tonë apo për të mos u bërë pjesë e fushatës së turpshme të kërkesës për dorëheqje, vendosëm që këta punonjës të mos firmosën këtë letër, pavarësisht kurajos dhe dinjitetit të tyre.

Duke ju falenderuar për vëmendjen dhe me shpresën për një reagim të shpejtë nga ana juaj, për të rikthyer në vend të drejtën e shkelur dhe për të  rivendosur sundimin e ligjit në administratën publike,

Me respekt:

20 te liruarit nga detyrat ne Ministrine e Drejtesise


Share on Facebook

Printo  
© Copyright: Alblink 2008