| Shtuar me date:2010-03-10 23:13:12 TIRANE – 10 mars (KM) – Kryeministri Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ngritjen e një komisioni të prokurimit publik, i cili do të merret me shqyrtimin e ankesave të prokurimeve publike. Kryeministri u shpreh se ngritja e një komisioni të tillë, të shkëputur tërësisht nga agjencia e prokurimeve Publike finalizon procesin e reformës së prokurimeve. Kryeministri shpjegoi se tashmë Agjencia prokurimeve Publike nuk do të jetë më institucioni që vlerëson ankesat për prokurim, pasi normat dhe standardet evropiane kërkojnë që kjo agjenci të mos ketë më këtë fuqi. “Agjencia përgatit procesin dhe nuk mund të jetë ajo që të gjykojë ankesat e kompanive që marrin pjesë në tendera, pra ankesat ndaj autoriteteve kontratore.”
Kryeministri theksoi se është e rëndësishme të përfitohet nga eksperienca e vendeve të tjera, në këtë drejtim në mënyrë që të rritet sa më shumë transparenca e këtij procesi. “Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që ka prokurime publike 100 % elektronike . Kjo përbën një arritje të madhe, por kërkon konsolidim të mëtejshëm. Një vend tjetër, i cili ka 100 % prokurime elektronike, është Singapori. Praktika e tyre duhet të shqyrtohet nga autoritetet tona kontratuese. Singapori është një vend me transparencë të lartë dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që të përdorim metodat sa më transparente.”
Burimi: km.gov.al
|