| Shtuar me date:2010-03-10 23:26:43 APLIKIME – 10 mars (MASH) - Ambasada e Republikës së Sllovakisë në Tiranë njofton se qeveria sllovake ofron një bursë për studime universitare pranë Universiteteve Publike të Sllovakisë, për vitin akademik 2010-2011, në degët pedagogji, kujdestari dhe shkenca pedagogjike, shkenca sociale dhe të sjelljes, ekonomi, shkenca ekologjike dhe mjedisore, bujqësi, menaxhim pyjesh, menaxhim i ujit dhe shkenca shëndetësore jo-mjekësore.
Kandidatët e interesuar për këtë bursë studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dokumentet e mëposhtme:
1. Kërkesën për studime, ku të specifikohen 3 degë në të cilat aplikanti dëshiron të studiojë; 2. Dëftesën e shkollës së mesme, ose vërtetimin e notave të tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Këto dokumente duhet të jenë të firmosura nga Drejtoria Arsimore e Qarkut, ose nga Zyra Arsimore e rrethit përkatës; 3. Formularin e aplikimit, i cili ndodhet në adresën e poshtëshënuar të Ministrisë së Arsimit të Sllovakisë; 4. Certifikata për pjesëmarrje në olimpiada ose konkurse të ndryshme të organizuara në nivel lokal ose kombëtar; 5. Raportin mjekësor për aftësi studimi; 6. Fotokopjen e kartës së identitetit ose certifikatën e lindjes; 7. 4 fotografi me përmasa 4 cm x 6cm
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit në MASH është data 23.03.2010.
Për një informacion më të hollësishëm lidhur me programet e studimit, përgatitjen e dokumentacionit dhe plotësimin e formularit të aplikimit referojuni adresës së internetit të Ministrisë së Edukimit të Sllovakisë: www.minedu.sk ose www.studyin.sk ose www.portalvs.sk
Për çdo informacion tjetër mund të merrni në numrin e telefonit 04 2230197.
|