| Shtuar me date:2010-03-16 13:26:45 TIRANE – 16 mars (PS) - Deklaratë për shtyp e kryetarit të PS, Edi Rama
Kemi pritur tre ditë me rradhë reagimin e zotit Berisha për deklaratën shumë shqetësuese të ambasadorit Withers. I cili, në emër të aleatit më të madh të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vuri alarmin për një projektligj të ulët në qëllim, të rrezikshëm në në përmbajtje e të shëmtuar në formë, që nuk e ka pëlqimin e partnerit tonë kryesor.
Prej tre ditësh kryeministri i këtij vendi, që pa miqësinë e partneritetin e Shteteve të Bashkuara jo vetëm nuk do të ishte sot në NATO, po as do të kishte garancitë që ka sot për sigurinë e për ardhmërinë e vet, jo vetëm nuk ka reaguar ndaj shqetësimit publik të përfaqësuesit të nderuar të Shteteve të Bashkuara, po është mjaftuar me nxjerrjen e një zëdhënëseje. E cila recitoi se projektligji qenkërka pikë për pikë sipas standardeve të NATO-s e të BE-së.
Kjo është një sjellje që nuk turpëron thjesht zotin Berisha, po turpëron Shqipërinë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, sepse është kryeqeveritari i këtij vendi ai që sillet me shqetësimin e mikut dhe aleatit më i madh i shqiptarëve, njësoj si komisionerët e Ruzhdies me lirinë e votës.
Nuk është hera e parë që Sali Berisha u bën karshillëk Shteteve të Bashkuara në kundërshtim me interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve dhe, edhe këtë herë, në sfondin e karshillëkut provincial është kriza e demokracisë, e shtetit të së drejtës, e ekonomisë së vendit.
Një qeveri shqiptare, që në vitin 2010, vetëm një vit pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO, me mbështetjen e paçmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, arrin në derexhenë që të sfidojë me arrogancë e me indiferencë këtë aleat jetik për Shqipërinë, duke çuar përpara procesin e miratimit të një ligji që bie ndesh me interesat e Shteteve të Bashkuara, është një qeveri që jo vetëm nuk i përfaqëson interesat e Shqipërisë e të shqiptarëve, po ka humbur çdo të drejtë morale për të qeverisur shqiptarët e përfaqësuar Shqipërinë.
Unë i bëj thirrje zotit Berisha ta tërheqë menjëherë, pa humbur asnjë ditë, projektin e turpshëm të kthimit të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shik-un famëkeq që përgjonte e përndiqte kundërshtarët e tij në politikë, media e shoqërinë civile.
Shpërfillja e shqetësimit që Shtetet e Bashkuara shprehën publikisht përmes ambasadorit Withers, është e patolerueshme. Ne kërkojmë publikisht sot shpjegime nga kryeministri i këtij vendi për këtë shpërfillje, sigurisht bashkë me lajmërimin e tërheqjes së projektligjit.
Dhe e sigurojmë zotin Berisha se këmbëngulja në këtë akt sa të rëndë, aq edhe qesharak karshillëku ndaj Shteteve të Bashkuara, nuk do të ringjallë dot Shik-un e vjetër, po do të jetë një arsye më shumë për të protestuar për largimin një orë e më parë të këtij pushteti të grabitur, që kërkon të mbahet në këmbë duke ndaluar transparencën e kutive të votimit, e shifrave të ekonomisë, e vendimeve të qeverisë dhe, më në fund, duke përgjuar e përndjekur kundërshtarët.
Këto nuk janë shenjat e një pushteti korruptiv që po forcohet, po të një qeverie të korruptuar që po rrëzohet.
Burimi: Partia Socialiste Zyra e Shtypit Armela Imeraj
|