| Shtuar me date:2010-03-16 13:41:29 TIRANE – 16 mars (Familja Ime) - Trembëdhjetë vjet pasi u dëmtua rëndë nga trazirat e vitit 1997, Klinika e Shëndetit Familjar – tashmë Qendra Shëndetësore “Familja Ime” – dedikuar aktorit te famshëm komik britanik, Norman Wisdom, - i njohur nga publiku shqiptar si Pitkini më në fund u hap sot (e hënë) nga Drejtoresha e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, Dr Liri Berisha.
Klinika është restauruar plotësisht nga ADRA, Agjencia Adventiste për Zhvillim dhe Lehtësim. Kjo agjenci operon në 125 vende, duke u ofruar ndihmë njerëzve në nevojë, pa dallim race, gjinie, feje apo bindjeje politike.
ADRA ishte OJQ-ja e parë që hyri në Shqipërinë post-komuniste duke nisur aktivitetet e saj humanitare që në vitin 1991. Prej këtij viti, ADRA ka sjellë ndihmë për popullin shqiptar me një vlerë prej më se 4.7 milionë dollarë. Ndërsa gjatë krizës në Kosovë ndihma e ADRA-s u kaloi shumën 28 milionë dollarë.
Vitet e fundit, ADRA është fokusuar tek programet edukative shëndetësore për fëmijët e Tiranës si dhe zonat përreth. Nën drejtimin e Drejtorit të Agjencisë, z. Lamar Phillips, janë restauruar më se 40 shkolla dhe klinika shëndetësore ne periferi të Tiranës, sidomos pranë zonës së Baldushkut.
Kjo ndërtesë e fundit, Klinika Familjare Shendetesore (tashmë Qendra Shëndetësore “Familja Ime”), u ndërtua në fillim në vitin 1996 dhe do të përurohej nga komediani i shquar britanik Norman Wisdom (njohur ndryshe nga mijëra admirues në Shqipëri si Pitkini). Fatkeqësisht, trazirat e vitit 1997 e bënë të pamundur vizitën e tij ndërkohë që vetë ndërtesa u dëmtua rëndë.
Klinika është sponsorizuar nga një numër organizatash britanike, përfshi këtu teleshikuesit e lajmeve të mëngjesit të televizionit BBC, komuniteti aziatik në Leicester, një organizatë kristiane quajtur Salvation Army, Austrian Airlines si dhe The Boys Brigade. Më vonë ndërtesa u përdor për magazinime të ndihmave humanitare.
Tashmë ndërtesa është restauruar komplet dhe pajisur për të plotësuar nevojat e fëmijëve dhe familjarëve tiranas. Dhomat e trajtimit përfshijnë departamentin e gjinekologjisë si dhe këshillime për një tematikë të gjerë për shëndetin.
Fëmjët nga çerdhja që operon brenda kompleksit të ADRA-s tek ish-Qyteti i Nxënësve. I uruan mirëseardhjen Znj. Berisha me këngë dhe më pas i dhuruan asaj një buqetë me lule. Hapja zyrtare – 13 vjet më pas – u krye nga Dr Liri Berisha, Drejtoreshë e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë. Pas zbulimit të pllakës në nderim të Norman Wisdom (Pitkinit), ajo vizitoi ndërtesën dhe takoi fëmijët që trajtohen nga stafi mjekësor i drejtuar nga Dr Beatrice Kastrati. Gjatë ceremonisë hapëse, Dr L. Berisha lavdëroi fondacionin ADRA si agjencia e parë humanitare që hyri dhe kontribuoi në Shqipëri në veçanti gjatë viteve të para pas rënies së komunizmit. Gjithashtu, ajo shprehu dëshirën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qendrën “Familja Ime” sidomos në ndihmë të fëmijëve autikë.
Qendra shëndetësore mirëpret qytetarët dhe mund të kontaktohet nëpërmjet nr. Tel. 04 222 4027 ose me email qender.familja.ime@gmail.com Website i klinikës http://centermyfamily.blogspot.com Facebook: Qendra Shendetesore “Familja Ime”
|