| Shtuar me date:2010-03-16 13:51:45 TIRANE – 16 mars (Presidenca) - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mjediset e Presidencës, të Dërguarin e Posaçëm të OSBE-së, Konstantin Zhigalov dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Presidenti i Republikës në këtë takim shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme që OSBE-ja ka dhënë për forcimin e demokracisë shqiptare, ruajtjen dhe thellimin e vlerave demokratike të shoqërisë, respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe në konsolidimin e rolit të shoqërisë civile përgjatë gjithë viteve të tranzicionit.
Në vijim të takimit, Presidenti Topi e njohu z. Zhigalov me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ato politike, ku ecuria e tryezës politike dhe rivendosja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës ishte në fokus të bashkëbiseduesve, si dhe në përpjekjet që institucionet dhe strukturat e posaçme shqiptare po bëjnë për reformimin e sistemit të drejtësisë, sipas standardeve evropiane dhe demokratike me synim integrimin në familjen e madhe evropiane.
Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm i OSBE-së, Zhigalov, vlerësoi rolin e Presidentit Topi në mbajtjen e tryezës politike mes mazhorancës dhe opozitës dhe vuri në dukje rëndësinë e rivendosjes së dialogut politik, hyrjes së opozitës në Kuvend duke nënvizuar shpresën se për Komisionin Hetimor Parlamentar do të arrihet një marrëveshje me qëllim funksionimin e plotë dhe normal të jetës politike dhe të institucioneve në vend.
Gjatë bisedës të dy personalitetet diskutuan edhe për situatën në rajon, duke theksuar rolin pozitiv, konstruktiv e promotor të Shqipërisë për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale. Presidenti Topi vuri në dukje edhe dëshirën dhe vullnetin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2014, një ambicje që u mbështet edhe nga zoti Zhigalov, i cili vlerësoi bashkëpunimin e frutshëm të vendit tonë me këtë organizatë dhe marrëdhëniet produktive dypalëshe mes Shqipërisë e Kazakistanit edhe në kuadrin e organizatave të tjera ndërkombëtare si NATO, etj.
Burimi: president.al
|