| Shtuar me date:2010-03-16 14:02:20 TIRANE - 16 mars (BBC) - Në Tiranë janë ndërprerë diskutimet për propozimet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve. Deputetët e opozitës në komisionin e ligjeve kanë braktisur diskutimet për propozim-ligjet që lidhen me hetimin e zgjedhjeve të kaluara dhe me komisionet hetimore parlamentare në përgjithësi. Opozita dhe shumica e arsyetojnë dhe shpjegojnë në mënyra krejt të kundërta këtë ngjarje, duke akuzuar njera-tjetrën për mungesë tolerance.
Deri të hënën dukej sikur kishte shpresa se dialogu do të mbante më gjatë dhe se ndoshta mund të arrihej ndonjë marrëveshje në rrugën e daljes nga kriza.
Por tani duket se në këtë mënyrë kriza politike në Shqipëri është rikthyer në pikën e nisjes.
Po të kihen parasysh qëndrimet e opozitës të drejtuar nga Edi Rama, tani mund të jetë radha e protestave në rrugë, versioni i dytë për të cilin opozita ka thënë vazhdimisht se është e përgatitur dhe si alternativë e mungesës së dialogut.
Një gjë mund të thuhet me siguri, kriza në këtë moment është larg zgjidhjes.
|