njofto
Advanced Poll
Kush jane fituesit e zgjedhjeve 2013
Partia Demokratike
PD + LSI + PDIU
Partia Socialiste
PS + AK + FRD
PS + LSI + AK + FRD
PS + AK + FRD + PDIU


View results
Version 2.08
 Kursi Ditor
USD / LEK 109.57
EUR / LEK 139.50
GBP / LEK 173.76
CHF / LEK 115.88
Ndryshimi i fundit: 16.11.2012
Pėr mė shumė

Interesat e Instrumenteve tė Bankės
Marre nga Banka e Shqipėrisė
Ligji Nr. 9901, Per tregtaret dhe shoqerite tregtare
Shtuar me date:2010-04-18 23:03:42


LIGJ Nr.9901, datë 14.4.2008 PËR TREGTARËT DHE SHOQËRITË TREGTARE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

PJESA I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

TITULLI I
DISPOZITA TË ZBATUESHME PËR TREGTARIN DHE SHOQËRITË TREGTARE

Neni 1
Objekti i ligjit, përkufizime, regjistrime të detyrueshme

1. Ky ligj rregullon statusin e tregtarit, themelimin dhe administrimin e shoqërive tregtare, të drejtat dhe detyrimet e themeluesve, të ortakëve dhe aksionarëve, riorganizimin dhe likuidimin e shoqërive tregtare. Shoqëritë tregtare janë shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara dhe shoqëritë aksionare.
2. Tregtarët dhe shoqëritë tregtare regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit", të ndryshuar.
3. Tregtarët dhe shoqëritë tregtare mbajnë libra kontabël, hartojnë e publikojnë të dhënat financiare dhe raportet për gjendjen e ecurisë së veprimtarisë, përfshirë dhe raportet e kontrollit të ekspertëve kontabël të autorizuar në përputhje me ligjin për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.
4. Nëse nuk parashikohet ndryshe, gjykata e përmendur në këtë ligj është seksioni tregtar i gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës, sipas dispozitave të neneve 334 deri në 336 të Kodit të Procedurës Civile.
5. Dispozitat, që kërkojnë dhënie informacioni në faqen e shoqërisë në internet, mund të zbatohen nëpërmjet krijimit të një lidhjeje informatike të drejtpërdrejtë me faqen në internet, ku Qendra Kombëtare e Regjistrimit publikon informacionin për tregtarin apo shoqërinë përkatëse.
6. Në kuptim të këtij ligji, shprehjet në njëjës përfshijnë ato në shumës e anasjelltas, me përjashtim të rastit kur sipas kontekstit të dispozitës rezulton ndryshe. Përemri vetor "ai" përfshin edhe përemrin vetor "ajo" dhe përemri vetor "atë" i nënkupton të dyja gjinitë, me përjashtim të rastit kur sipas kontekstit të dispozitës rezulton ndryshe.

Neni 2
Tregtari

1. Tregtari është personi fizik, sipas kuptimit të Kodit Civil, i cili ushtron veprimtari ekonomike të pavarur, që kërkon një organizim tregtar të zakonshëm.
2. Personi fizik, i cili ushtron një profesion të pavarur (si avokat, noter, kontabilist, mjek, inxhinier, arkitekt, artist etj.), vlerësohet tregtar, nëse një ligj i posaçëm i ngarkon këtë status.
3. Personi fizik, i cili ushtron veprimtari bujqësore, blegtorale, pyjore e të ngjashme, vlerësohet tregtar, nëse veprimtaria e tij përqendrohet kryesisht në përpunimin dhe shitjen e produkteve bujqësore, blegtorale, pyjore (agrobiznes).
4. Personi fizik, veprimtaria ekonomike e të cilit, për shkak të vëllimit të tij, nuk kërkon një organizim të zakonshëm tregtar (tregtar i vogël), nuk vlerësohet tregtar e nuk i nënshtrohet këtij ligji. Ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për ekonominë, me urdhër të përbashkët, miratojnë pragjet e vëllimit të veprimtarisë, në bazë të të cilave lind detyrimi i regjistrimit si tregtar.
5. Tregtari regjistrohet sipas neneve 28 pika 1 dhe 30 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit". Nëse tregtari ka krijuar një faqe në internet, të gjitha të dhënat e njoftuara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit publikohen në këtë faqe.
6. Tregtari është i detyruar të ndjekë parimet e ndershmërisë profesionale, të zbatueshme në mjedisin tregtar, ku ai vepron. Tregtari, për detyrimet që rrjedhin nga veprimtaritë e ushtruara, përgjigjet personalisht me të gjithë pasurinë e të drejtat e tij të tashme dhe të ardhshme, përfshirë pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, pronësitë industriale e intelektuale, kreditë ndaj të tretëve e çdo të drejtë apo pasuri tjetër, vlera e të cilave mund të shprehet në para.
7. Tregtari e humbet statusin e tij kur pushon ushtrimin e veprimtarisë ose kur është i detyruar ta pushojë atë. Në një rast të tillë ai çregjistrohet nga regjistri, në përputhje me nenet 48 deri në 53 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".

Neni 3
Shoqëritë tregtare

1. Shoqëritë tregtare themelohen nga dy ose më shumë persona fizikë dhe/ose juridikë, që bien dakord për arritjen e objektivave ekonomikë të përbashkët, duke dhënë kontribute në shoqëri, sipas përcaktimeve në statutin e saj. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare mund të themelohen edhe vetëm nga një person fizik dhe/ose juridik (shoqëritë me ortak apo aksionar të vetëm).
2. Shoqëritë tregtare duhet të regjistrohen sipas nenit 22 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit", si dhe neneve në vijim, sipas formës përkatëse të shoqërisë tregtare.
3. Shoqëritë tregtare fitojnë personalitetin juridik në datën kur kryhet regjistrimi i tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Shoqëritë përgjigjen me të gjitha aktivet e tyre për detyrimet, që rrjedhin nga veprimtaritë e ush truara.

Neni 4
Emrat e regjistruar dhe emërtimet tregtare

1. Tregtari dhe shoqëritë tregtare e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën emrin e regjistruar. Emri i tregtarit është emri i tij, sipas nenit 5 të Kodit Civil, i regjistruar në përputhje me nenin 30 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit". Emri i shoqërisë tregtare duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 23 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
2. Tregtari dhe shoqëritë tregtare mund të përdorin dhe emërtime tregtare, si dhe shenja të tjera dalluese të veprimtarisë dhe i regjistrojnë këto në përputhje me nenin 44 pika 1 shkronja "a" të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
3. Emri i tregtarit ndiqet nga shtojca "tregtar i regjistruar" ose shkurtimi përkatës "TR". Emri i shoqërisë kolektive duhet të ndiqet nga shtojca "shoqëri kolektive" ose shkurtimin "SHK". Emri i shoqërisë komandite duhet të ndiqet nga shtojca "shoqëri komandite" ose shkurtimin "SHKM". Emrat e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar dhe të shoqërive aksionare përmbajnë shkurtimet, të cilat tregojnë se janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar "SHPK" ose shoqëri aksionare "SHA".

Neni 5
Transferimi i emrave dhe i përgjegjësisë

1. Personi, të cilit i transferohet veprimtaria e një tregtari ose e një shoqërie tregtare, mund të vijojë të përdorë emrin e regjistruar apo shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë, me ose pa një shtesë, që tregon ndërrimin e pronësisë, nëse titullari i mëparshëm i veprimtarisë apo trashëgimtarët e tij e miratojnë këtë përdorim.
2. Nëse emri i regjistruar apo shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë vijojnë të përdoren, titullari i ri i veprimtarisë trashëgon të gjitha detyrimet tregtare të titullarit të mëparshëm. Marrëveshjet, që përcaktojnë ndryshe nga sa më sipër, nuk mund t'i kundrejtohen palëve të treta, edhe nëse janë bërë publike, me përjashtim të rastit kur tregtari ose shoqëria provon se i treti ka pasur dijeni për marrëveshjen, apo në bazë të rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të.

TITULLI II
THEMELIMI I SHOQËRISË TREGTARE

Neni 6
Statuti

Statuti i shoqërisë tregtare përmban të dhënat e përcaktuara në nenet 32 deri në 36 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
Paragrafi i katërt i nenit 28 të ligjit të sipërpërmendur mbetet i zbatueshëm.

Neni 7
Objekti i ligjshëm

Shoqëria tregtare mund të ushtrojë çdo veprimtari, e cila nuk ndalohet me ligj.

Neni 8
Zyra qendrore

1. Nëse nuk parashikohet ndryshe në statut, zyra qendrore e shoqërisë tregtare është vendi, ku zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë së saj tregtare.
2. Nëse zyra qendrore ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, shoqëritë tregtare u nënshtrohen dispozitave të këtij ligji.

Neni 9
Degët dhe zyrat e përfaqësimit

1. Personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë mund të vendosin hapjen e degëve dhe/ose të zyrave të përfaqësimit të shoqërisë.
2. Degët janë vende të ushtrimit të veprimtarisë tregtare dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Ato veprojnë në mënyrë të qëndrueshme, organizohen dhe administrohen më vete dhe ushtrojnë veprimtari me palë të treta, në emër të shoqërisë.
3. Zyrat e përfaqësimit janë vende të veprimtarisë tregtare të shoqërisë dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Zyrat e përfaqësimit nuk kanë si qëllim krijimin e të ardhurave, por nxitjen e veprimtarisë së shoqërisë. Këto zyra mund të lidhin marrëveshje në emër e për llogari të saj.
4. Nëse degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive shqiptare krijojnë faqe interneti, ato duhet të publikojnë numrin unik të identifikimit të shoqërisë në këtë faqe interneti.
5. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja regjistrohen sipas kërkesave të neneve 26 pika 4, 28 pika 5 dhe 37 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
6. Dega vepron nën emrin e regjistruar të shoqërisë tregtare, si dhe nën emrin e saj.

Neni 10
Përgjegjësia e themeluesve

1. Personat që veprojnë në emër të shoqërisë, përpara se kjo të fitojë personalitetin juridik, përgjigjen personalisht në mënyrë të pakufizuar e solidare për veprimet e kryera në emër të saj. Me fitimin e personalitetit juridik, të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga këto veprime i kalojnë shoqërisë.
2. Themeluesit japin kontributet e tyre në shoqëri, në para ose në natyrë, sipas mënyrave e afateve të parashikuara në statut dhe kryejnë formalitetet e themelimit sipas kërkesave të këtij ligji dhe të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit". Themeluesit përgjigjen ndaj shoqërisë personalisht e në mënyrë solidare për dëmet e shkaktuara nga mospërmbushja e këtyre detyrimeve apo nga përmbushja e tyre përtej afateve përkatëse.
3. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë mund të ngrejë padi në gjykatën përkatëse për dëmin e shkaktuar nga mospërmbushjet e detyrimeve, sipas pik ës 2 të këtij neni. Në rast mosveprimi të përfaqësuesit ligjor brenda 90 ditëve nga marrja dijeni e mospërmbushjes, padia mund të ngrihet përkatësisht nga një ortak i shoqërisë kolektive ose komandite, nga një numër ortakësh të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar apo aksionarësh të një shoqërie aksionare, të cilët zotërojnë jo më pak se 5 për qind të tërësisë së votave në asamblenë e shoqërisë. Padia mund të ngrihet, gjithashtu, nga çdo kreditor i shoqërisë tregtare. Ortakët, aksionarët ose kreditorët duhet të respektojnë procedurat e neneve 91, 92, 150 e 151 të këtij ligji. Paditë duhet të ngrihen brenda 3 viteve pas regjistrimit të shoqërisë tregtare.

Neni 11
Të dhënat në korrespondencat dhe dokumentet e tjera të veprimtarisë

1. Të gjitha shkresat, formularët e urdhrave apo çdo dokument tjetër korrespondence, nxjerrë nga shoqëria, degët apo zyrat e përfaqësimit, nëpërmjet përdorimit të letrës ose mjeteve elektronike, të cilat u drejtohen palëve të treta, duhet të përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
a) numrin unik të identifikimit;
b) formën ligjore të shoqërisë;
c) vendndodhjen e selisë së regjistruar dhe të zyrës qendrore të saj;
ç) të dhëna nëse shoqëria është në likuidim.
Nëse shoqëria ka faqe interneti, këto të dhëna duhet të pasqyrohen aty. Edhe në këtë rast zbatohet pika 5 e nenit 1 të këtij ligji.
2. Shoqëria përgjigjet për vërtetësinë e të dhënave të deklaruara sipas pikës 1 të këtij neni. Nxjerrja e shkresave, formularëve e urdhrave apo e çdo dokumenti tjetër korrespondence, në kundërshtim me pikën 1 të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 15 000 lekë. Kur kundërvajtja administrative e parashikuar në këtë pikë konstatohet gjatë një kontrolli të organizuar nga administrata tatimore, sanksioni ekzekutohet nga kjo administratë.

TITULLI III
PËRFAQËSIMI

Neni 12
Përfaqësuesit ligjorë

1. Shoqëritë tregtare përfaqësohen sipas rregullave të përcaktuara nga ky ligj dhe dispozitave të statutit. Përfaqësimi ligjor i shoqërisë është i vlefshëm për çdo veprim gjyqësor apo jashtëgjyqësor.
2. Përfaqësuesit ligjorë zbatojnë të gjitha kufizimet e tagrave të përfaqësimit, të përcaktuara në statut apo të miratuara nga organet përkatëse të shoqërisë. Me përjashtim të rastit kur shoqëria provon se i treti ka pasur dijeni për kufizimin, apo në bazë të rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të, kufizimi i kompetencave nuk mund t'i kundrejtohet palëve të treta, edhe nëse këto kufizime janë bërë publike në mënyrë të ndryshme nga ato të parashikuara nga ligji nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit". Publikimi i kufizimit nëpërmjet publikimit të vendimeve të organit përkatës të shoqërisë apo statutit nuk përbën provë të mjaftueshme për dijeninë e të tretëve, nëse ky kufizim është bërë publik në mënyrë të ndryshme nga ato të parashikuara nga ligji për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
3. Veprimet e kryera nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë janë të detyrueshme për shoqërinë edhe nëse këto tejkalojnë objektin e saj, me përjashtim të rastit kur këto veprime shkojnë përtej tagrave të përfaqësimit që u jep ligji apo lejon t'u jepen përfaqësuesve. Këto veprime nuk janë detyruese për shoqërinë nëse shoqëria provon se i treti ka pasur dijeni se akti tejkalon objektin e saj, apo në bazë të rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të. Publikimi nëpërmjet ndryshimit të statutit nuk përbën provë të mjaftueshme për dijeninë e të tretëve, nëse ky ndryshim është bërë publik në mënyrë të ndryshme nga ato të parashikuara nga ligji për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
4. Çdo parregullsi në emërimin e përfaqësuesit ligjor nuk përjashton apo kufizon përgjegjësinë e shoqërisë ndaj palëve të treta, përveç rastit kur shoqëria provon se i treti ka pasur dijeni për parregullsinë, apo në bazë të rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të.

Neni 13
Ndalimi, konflikti i interesit dhe personat e lidhur

1. Personat, që janë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale, të parashikuara në kreun III të pjesës së posaçme të Kodit Penal, për një afat deri në 5 vjet nga data e këtij dënimi, nuk mund të mbajnë funksionet e përfaqësuesit ligjor të një shoqërie tregtare, nuk mund të jenë anëtarë të këshillit të administrimit apo të këshillit mbikëqyrës dhe as përfaqësues të aksionarëve në asamblenë e përgjithshme.
2. Personi i autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë tregtare nuk mund të lidhë kontrata apo të hyjë në marrëdhënie të tjera me shoqërinë tregtare, nëse kjo nuk deklaron kushtet e veprimit, si dhe natyrën e objektin e interesit të tij e veprimi nuk autorizohet, paraprakisht, prej:
a) të gjithë ortakëve të tjerë, në rastin e një shoqërie kolektive apo komandite;
b) të gjithë ortakëve ose të gjithë ortakëve të tjerë, në rastin e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar;
c) këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës, në rastin e administrato rëve të shoqërive aksionare;
ç) këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës, në rastin e anëtarëve të këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës në shoqëritë aksionare.
Çdo miratim paraprak dhe i përgjithshëm njoftohet për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
3. Miratimi i parashikuar në pikën 2 të këtij neni jepet, gjithashtu, për çdo kontratë apo marrëdhënie tjetër, që shoqëria lidh me një palë të tretë, e cila ka marrëdhënie personale apo financiare me personat e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë, apo me palë të treta, marrëdhëniet e të cilave me personat e mësipërm janë të tilla që, në mënyrë të arsyeshme, mund të ndikojnë vendimmarrjen e tyre në kundërshtim me interesat e shoqërisë. Personat në vijim prezumohen të kenë një apo më shumë nga interesat e mësipërm me personat e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë:
a)bashkëshorti/bashkëshortja, prindërit, vëllezërit ose motrat e bashkëshortit/ bashkëshortes;
b) fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat, fëmijët e fëmijëve ose bashkëshorti/bashkëshortja e personave të mësipërm;
c) personat e lidhur me personin e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë. Persona të lidhur janë: të paralindurit apo të paslindurit, të afërmit në vijë të tërthortë të shkallës së dytë, birësuesi ose i birësuari, i afërmi i shkallës së parë i bashkëshortit/bashkëshortes;
ç) një person, që banon me personin e autorizuar për të përfaqësuar ose për të mbikëqyrur shoqërinë.
4. Personat, të cilët kërkojnë miratim për një transaksion, sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, nuk mund të marrin pjesë në votimin për miratimin e veprimit e nuk llogariten në kuorum.
5. Aksionarët njoftohen për miratimin e dhënë sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, si dhe për kushtet e veprimit e natyrën e objektin e interesit. Brenda 6 muajve nga njoftimi, asambleja mund t'i kërkojë gjykatës të shpallë veprimin juridik si të pavlefshëm, në rastet kur miratimi është dhënë me shkelje të rëndë të ligjit apo statutit. Dispozitat e nenit 151 të këtij ligji mbeten të zbatueshme.
6. Çdo veprim që kërkon miratim, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni, publikohet në pasqyrat financiare dhe raportet e ecurisë së veprimtarisë, së bashku me kushtet e veprimit, si dhe natyrën e objektin e interesit të personave të përfshirë.
7. Një person, i cili është, njëkohësisht, administrator dhe ortak apo aksionar i vetëm i shoqërisë, nuk mund të lidhë kontrata huaje apo garancie me shoqërinë. Kontratat e tjera të lidhura midis këtij personi dhe shoqërisë regjistrohen në një procesverbal, i cili bëhet në zyrën qendrore të shoqërisë. Mospërmbushja e këtij detyrimi përbën kundërvajtje administrative dhe administratori dënohet me gjobë deri në 15 000 lekë. Kur kundërvajtja administrative e parashikuar në këtë pikë konstatohet gjatë një kontrolli të organizuar nga administrata tatimore, sanksioni ekzekutohet nga kjo administratë.

TITULLI IV
PARIMI I DETYRIMIT TË BESNIKËRISË

Neni 14
Parimet

1. Gjatë ushtrimit të të drejtave, ortakët dhe aksionarët veprojnë, duke marrë parasysh interesat e shoqërisë dhe të ortakëve apo të aksionarëve të tjerë. I njëjti detyrim zbatohet edhe për administratorët, anëtarët e këshillit të administrimit apo të këshillit mbikëqyrës.
2. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj ose nga statuti, në rrethana të njëjta, ortakët dhe aksionarët gëzojnë të njëjtat të drejta, kanë të njëjtat detyrime e trajtohen në mënyrë të barabartë.

Neni 15
E drejta e informimit

1. Personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë informojnë të gjithë ortakët apo aksionarët për ecurinë e veprimtarisë së shoqërisë tregtare dhe, me kërkesën e tyre, duhet t'u vënë në dispozicion llogaritë vjetore, përfshirë llogaritë e konsoliduara, raportet për gjendjen dhe ecurinë e veprimtarisë së shoqërisë tregtare, raportet e organeve drejtuese apo të ekspertëve kontabël të autorizuar, si dhe çdo dokument tjetër të brendshëm të shoqërisë, me përjashtim të atyre të përcaktuar në nenin 18 të këtij ligji. Ky detyrim mund të përmbushet edhe duke e vendosur këtë informacion në faqen e internetit të shoqërisë tregtare dhe duke informuar për këtë personat, të cilët e bëjnë kërkesën. Në të kundërt, këto dokumente duhet të vihen në dispozicion, për shqyrtim, pranë zyrës qendrore të shoqërisë tregtare.
2. Çdo dispozitë e statutit, që ndalon ose kufizon ushtrimin e të drejtave të përmendura në pikën 1 të këtij neni, është e pavlefshme.
3. Nëse personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë nuk japin informacionin e kërkuar, sipas pikës 1 të këtij neni, ortakët, anëtarët ose aksionarët e interesuar, brenda 30 ditëve pas refuzimit, mund t'i kërkojnë gjykatës kompetente të urdhërojë përmbaruesit gjyqësorë të ekzekutojnë kërkesën e ortakut apo aksionarit, duke i dorëzuar këtyre të fundit informacionin dhe dokumentet që personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë nuk kanë dhënë. Mosdhënia e informacioneve të kërkua ra, sipas këtij neni, brenda 7 ditëve nga data e marrjes dijeni për kërkesën, vlerësohet refuzim.

Neni 16
Abuzimi me detyrën dhe formën e shoqërisë

1. Ortakët, aksionarët e shoqërisë tregtare, administratorët dhe anëtarët e këshillit të administrimit, që kryejnë një apo më shumë nga veprimet ose mosveprimet vijuese, përgjigjen personalisht e në mënyrë solidare për detyrimet e shoqërisë, me të gjithë pasurinë e tyre nëse:
a) abuzojnë me formën e shoqërisë tregtare për arritjen e qëllimeve të paligjshme;
b) trajtojnë pasuritë e shoqërisë tregtare si të ishin pasuritë e tyre;
c) në çastin kur kanë marrë apo duhet të kishin marrë dijeni për gjendjen e paaftësisë paguese të shoqërisë, nuk marrin masat e nevojshme, për të siguruar që shoqëria, në varësi të llojit të veprimtarisë së ushtruar, të ketë kapitale të mjaftueshme, për të përmbushur detyrimet e marra përsipër ndaj palëve të treta.
2. Palët e treta nuk mund të ngrenë padi për përmbushjen e detyrimeve, sipas pikës 1 të këtij neni, nëse shoqëria provon se i treti kishte pasur dijeni për abuzimin apo në bazë të rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të. Padia duhet të ngrihet brenda 3 vjetëve nga kryerja e shkeljes.

Neni 17
Ndalimi i konkurrencës

1. Ortakët e shoqërisë kolektive, ortakët e pakufizuar të shoqërisë komandite, ortakët dhe administratorët e shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, si dhe administratorët dhe anëtarët e këshillit të administrimit të një shoqërie aksionare nuk mund të mbajnë një pozicion drejtues apo të jenë të punësuar në shoqëri të tjera, që ushtrojnë veprimtari në të njëjtin sektor ekonomik me shoqërinë e parë. Gjithashtu, këta persona nuk mund të mbajnë statusin e tregtarit për të ushtruar veprimtari në këtë sektor.
2. Statuti mund të parashikojë që ndalimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni të shfuqizohet nëpërmjet një autorizimi të posaçëm, të dhënë nga ortakët, sipas dispozitave të nenit 36 të këtij ligji, apo nga asambleja e përgjithshme me tre të katërtat e votave, sipas dispozitave të neneve 87 apo 145 të këtij ligji.
3. Statuti mund të parashikojë, gjithashtu, se ndalimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni, të mbetet në fuqi edhe pas humbjes së cilësive apo statusit të përmendur në të, por jo për një periudhë më të gjatë se një vit pas humbjes së kësaj cilësie.
4. Nëse ndonjëri prej personave të përmendur në pikën 1 të këtij neni shkel ndalimin e konkurrencës, shoqëria mund:
a) ta përjashtojë atë nga shoqëria apo ta shkarkojë nga detyra;
b) të kërkojë ndërprerjen e veprimtarisë konkurruese;
c) të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit.
5. Shoqëria, si alternativë të ngritjes së padisë për shpërblimin e dëmit, mund t'i kërkojë secilit prej personave të përmendur në pikën 1 të këtij neni:
a) të pranojë se transaksionet e kryera për llogari të tij të kalohen për llogari të shoqërisë;
b) t'i transferojë shoqërisë të gjitha përfitimet që ka marrë nga kryerja e veprimeve për llogari të personave të tretë;
c) t'i transferojë shoqërisë të gjitha të drejtat e kreditë, që kanë rrjedhur nga kryerja e veprimeve për llogari të personave të tretë.
6. Padia për ushtrimin e të drejtave të shoqërisë ngrihet brenda 3 viteve nga data e kryerjes së shkeljes. Për ngritjen e padisë ndaj personave të sipërpërmendur zbatohen, gjithashtu, dispozitat e pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.

Neni 18
Sekreti tregtar

1. Sekreti tregtar është një e dhënë e vlerësuar nga shoqëria si informacion i brendshëm apo dokument, që shoqëria mbron në mënyra të përshtatshme, i cili, nëse do t'u përhapej personave të paautorizuar, do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm të interesave tregtarë të shoqërisë.
2. Nuk përbën sekret tregtar informacioni, që duhet të bëhet publik në bazë të ligjit, që lidhet me shkeljen e ligjit, apo që duhet të publikohet në bazë të praktikave të mira tregtare e parimeve të etikës tregtare. Përhapja e këtij informacioni vlerësohet e ligjshme, nëse nëpërmjet këtij akti synohet të mbrohet interesi publik.
3. Administratorët, anëtarët e këshillit të administrimit, të këshillit mbikëqyrës, anëtarët e këshillit të punëmarrësve, si dhe përfaqësuesit e punëmarrësve përgjigjen ndaj shoqërisë për dëmin e shkaktuar nga përhapja e sekreteve tregtare, për të cilat kanë dijeni, për shkak të kryerjes së funksioneve të tyre në shoqëri.
4. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme, padia për ushtrimin e të drejtave të shoqërisë duhet të ngrihet brenda 3 viteve nga data e kryerjes së shkeljes. Për ngritjen e padisë ndaj personave të sipërpërmendur zbatohen, gjithashtu, dispozitat e pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.

TITULLI V
PJESËMARRJA E PUNËMARRËSVE

Neni 19
Këshilli i punëmarrësve

Punëmarrësit e një shoqërie tregtare, e cila ka më shumë se 50 punëmarrës, krijojnë këshillin e punëmarrësve, me mandat maksimal prej 5 viteve . Funksionet e një shoqërie tregtare, e cila ka mbi 20 punëmarrës, por më pak se 50, kryhen nga një përfaqësues, për çdo 10 punëmarrës, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga asambleja e punëmarrësve të shoqërisë. Asambleja e punëmarrësve zgjedh një përfaqësues të ri, për çdo 20 punëmarrës shtesë të shoqërisë. Në çdo rast, këshilli i punëmarrësve nuk mund të këtë më shumë se 30 anëtarë. Këshilli mund të nxjerrë rregullore të brendshme, për të organizuar procedurat e veta.

Neni 20
Të drejtat dhe detyrimet e këshillit të punëmarrësve

1. Këshilli i punëmarrësve monitoron zbatimin e ligjeve, të kontratave kolektive dhe dispozitave të statutit dhe përfaqëson interesat e punëmarrësve të shoqërisë. Këshilli merr pjesë në vendimmarrjen për shfrytëzimin e fondeve të posaçme dhe të aktiveve të tjera të shoqërisë, të parashikuara në kontratat kolektive dhe në statut, si dhe për shpërndarjen e pjesës së fitimeve, që asambleja e përgjithshme vendos t'ia shpërndajë punëmarrësve.
2. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë e mban këshillin e punëmarrësve të informuar për veprimtaritë dhe ecurinë e shoqërisë tregtare e në mënyrë të veçantë për efektet e politikat e shoqërisë për kushtet e punës, pagat, sigurinë në punë, ndarjen e mundshme të fitimeve, ndryshimin e statusit, sistemin e pensioneve të shoqërisë, ristrukturimin dhe pjesëmarrjen e shoqërisë në shoqëri të tjera. Përfaqësuesi ligjor, me kërkesën e këshillit të punëmarrësve, paraqet gjendjen e llogarive, përfshirë llogaritë e konsoliduara, raportet për gjendjen e ecurisë së veprimtarisë së shoqërisë tregtare, raportet e këshillit mbikëqyrës apo të ekspertëve kontabël të autorizuar. Ky detyrim mund të përmbushet edhe duke e shpallur këtë informacion në faqen e internetit të shoqërisë tregtare dhe duke e informuar për këtë këshillin e punëmarrësve. Në të kundërt, mund të kërkohet që përgjigjet të jenë me shkrim, duke përdorur edhe mjete të komunikimit elektronik.
3. Këshilli i punëmarrësve, gjithashtu, mund të informojë veten drejtpërdrejt për performancën e shoqërisë tregtare dhe të këqyrë librat e dokumentet e shoqërisë, duke u dhënë mendime dhe sugjerime organeve drejtuese për çështjet e përmendura në pikën 2 të këtij neni. Përfaqësuesi ligjor e informon këshillin e punëmarrësve për arsyet e mospranimit të mendimeve dhe të sugjerimeve të këtij këshilli.
4. Statuti nuk mund ta pengojë apo kufizojë ushtrimin e të drejtave të përmendura në pikat 2 e 3 të këtij neni, me përjashtim të rasteve kur është rënë dakord ndërmjet përfaqësuesit ligjor dhe këshillit të punëmarrësve për një sistem ekuivalent informimi. Nëse përfaqësuesi ligjor nuk pranon të japë informacionet, sipas pikave 2 e 3 të këtij neni, këshilli i punëmarrësve, brenda 2 javëve pas refuzimit, mund t'i drejtohet gjykatës përkatëse për të marrë një vendim detyrues për informimin.
5. Këshilli i punëmarrësve i raporton asamblesë së punëmarrësve të shoqërisë për veprimtaritë e veta të paktën dy herë në vit ose sa herë e kërkon shumica e punëmarrësve.
6. Kostot e zgjedhjes dhe të funksionimit të këshillit mbulohen nga shoqëria tregtare.

Neni 21
Pjesëmarrja e punëmarrësve në administrimin e shoqërive aksionare

Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë tregtare dhe këshilli i punëmarrësve mund të bien dakord që ky të emërojë persona për të përfaqësuar punëmarrësit në nivelin e administrimit.

PJESA II
SHOQËRITË KOLEKTIVE

TITULLI I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 22
Përkufizimi

Një shoqëri është shoqëri kolektive nëse regjistrohet si e tillë, e kryen veprimtarinë tregtare nën një emër të përbashkët dhe përgjegjësia e ortakëve përpara kreditorëve është e pakufizuar.

Neni 23
Regjistrimi

1. Shoqëria kolektive regjistrohet në përputhje me nenet 26, 28, 32 e 33 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
2. Nëse shoqëria kolektive ka krijuar një faqe interneti, të dhënat, të cilat i raportohen Qendrës Tregtare të Regjistrimit, publikohen në këtë faqe dhe u vihen në dispozicion personave të interesuar.

TITULLI II
MARRËDHËNIET NDËRMJET ORTAKËVE

Neni 24
Liria kontraktore

Marrëdhëniet ndërmjet ortakëve rregullohen nga statuti. Nenet 25 deri në 36 të këtij ligji zbatohen vetëm në rastin kur në statut nuk parashikohet ndryshe.

Neni 25
Kontributet

1. Kontributi i ortakëve mund të jetë në para ose në natyrë (pasuri të luajtshme/të paluajtshme, të drejta, krah pune dhe shërbime). Kontributet e ortakëve janë të barabarta.
2. Ortakët e shoqërisë kolektive i vlerësojnë kontributet në natyrë, duke i shprehur vlerat e tyre në para, me anë të një marrëveshjeje të ndërsjellë me njëri-tjetrin. Nëse nuk arrihet marrëveshja, secili prej ortakëve mund t'i drejtohet gjykatës përkatëse për të caktuar, me një vendim detyrues, një ekspert vlerësues. Raporti i ortakëve ose i ekspertit për vlerësimin e kontributeve i dorëzohet Qendrës Kombëtare të Regjistrimit së bashku me të dhënat e tjera, të kërkuara për regjistrim.

Neni 26
Përgjegjësia për dëmin e shkaktuar

Gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre, ortakët përgjigjen ndaj shoqërisë kolektive për të gjitha dëmet e shkaktuara me dashje ose me pakujdesi të rëndë.

Neni 27
Rimbursimi i shpenzimeve

Të gjithë ortakët kanë të drejtë t'i kërkojnë shoqërisë kolektive rimbursimin e shpenzimeve, që kanë bërë gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare të shoqërisë, të cilat janë të nevojshme, duke pasur parasysh rrethanat e veprimtarisë.

Neni 28
Vonesa në pagimin e kontributeve

Ortakët, të cilët:
a) nuk i paguajnë shoqërisë kontributin në para ose në natyrë brenda afatit të përcaktuar në statut;
b) nuk i kalojnë në kohën e duhur shoqërisë paratë e arkëtuara në emër të saj;
c) marrin para nga shoqëria pa qenë të autorizuar;
detyrohen të paguajnë interes mbi vlerat që detyrohen, duke nisur nga data kur duhet të kishin derdhur kontributin, të kishin bërë kalimin ose nga data, në të cilën kanë marrë paratë.

Neni 29
Rritja ose zvogëlimi i vlerës së kontributit

1. Ortaku nuk është i detyruar ta rrisë vlerën e kontributit të vet mbi shumën, për të cilën është rënë dakord, ose ta shtojë atë, nëse ky kontribut është zvogëluar nga humbjet.
2. Ortaku nuk mund ta zvogëlojë vlerën e kontributit të vet, pa miratimin e ortakëve të tjerë.

Neni 30
Disponimi i pjesëve

1. Ortaku nuk mund të heqë dorë, të transferojë apo të vendosë barrë mbi të drejtat, që rrjedhin nga cilësia e ortakut (pjesa) në shoqëri, pa miratimin e ortakëve të tjerë.
2. Të drejtat, që rrjedhin nga cilësia e ortakut (pjesa) në shoqërinë kolektive, mund t'u transferohen, pa asnjë kufizim, ortakëve të tjerë.

Neni 31
Administrimi

1. Të gjithë ortakët kanë të drejtë ta administrojnë veprimtarinë tregtare të shoqërisë kolektive, duke vepruar si administratorë.
2. Nëse, në mbështetje të statutit, i është ngarkuar administrimi një apo disa prej ortakëve, ortakët e tjerë përjashtohen nga administrimi.

Neni 32
Administrimi nga më shumë se një ortak

1. Nëse e drejta për administrimin u është dhënë të gjithë ortakëve ose vetëm disave prej tyre, secili prej administratorëve ka të drejtë të veprojë në mënyrë të pavarur, me përjashtim të rasteve kur veprimet e tyre kundërshtohen nga administratorët e tjerë.
2. Nëse statuti parashikon që administratorët mund të veprojnë vetëm në mënyrë të përbashkët, atëherë për çdo veprim kërkohet miratimi i të gjithë administratorëve, me përjashtim të rasteve kur vonesa në kryerjen e veprimit mund t'i shkaktojë dëm shoqërisë.
3. Nëse statuti parashikon që një administrator është i detyruar t'u bindet udhëzimeve të një administratori tjetër, kur këto udhëzime konsiderohen të papërshtatshme, ai njofton administratorët e tjerë për të marrë një vendim të përbashkët për kryerjen e veprimit, me përjashtim të rasteve kur vonesa në kryerjen e veprimit mund t'i shkaktojë dëm shoqërisë.

Neni 33
Objekti i administrimit

1. E drejta për administrim përfshin kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për ushtrimin e zakonshëm të veprimtarisë tregtare të shoqërisë.
2. Veprimet, të cilat tejkalojnë objektin e kompetencës së përmendur në pikën 1 të këtij neni, kërkojnë miratimin e të gjithë ortakëve.

Neni 34
Kalimi i të drejtave të administrimit

Ortaku, me miratimin e gjithë ortakëve të tjerë, mund t'i kalojë një palë të tretë të drejtat e administrimit të shoqërisë.

Neni 35
Njoftimi i dorëheqjes dhe heqja e të drejtave për administrim

1. Administratori mund të japë dorëheqjen nga detyrat e tij, për shkaqe të arsyeshme, duke bërë njoftim paraprak, në një kohë të përshtatshme, për të mundësuar vazhdimin e veprimeve nga administratorët e tjerë, me përjashtim të rasteve kur dorëheqja e menjëhershme vlerësohet e justifikuar për një arsye të rëndësishme.
2. E drejta për administrim mund t'i hiqet ortakut me vendim të gjykatës përkatëse, me kërkesë të ortakëve të tjerë, nëse kjo justifikohet nga shkaqe të arsyeshme, përfshirë shkeljen e rëndë të detyrave të administratorit ose paaftësinë për t'i përmbushur ato në mënyrë të rregullt.

Neni 36
Marrja e vendimeve nga ortakët

1. Nëse vendimet duhet të merren nga ortakë nominalisht të përcaktuar, atëherë është i nevojshëm miratimi i të gjithëve, me përjashtim të rasteve kur ndonjëri prej tyre është në konflikt interesi me çështjen në shqyrtim.
2. Kur statuti lejon marrjen e vendimeve me shumicë votash, kjo shumicë duhet të jetë një shumicë e thjeshtë.

Neni 37
Humbja dhe fitimi

1. Në fund të çdo viti financiar, shoqëria përgatit pasqyrat vjetore financiare, ku përcaktohen fitimi dhe humbja, si dhe pjesa që i përket në to secilit ortak.
2. Secili ortak ka të drejtë të përfitojë pjesë të barabartë të fitimeve dhe është i detyruar të marrë pjesë, në mënyrë të barabartë, në mbulimin e humbjeve që rrjedhin nga veprimtaria.

TITULLI III
MARRËDHËNIET NDËRMJET ORTAKËVE DHE TË TRETËVE

Neni 38
Përfaqësimi i shoqërisë kolektive

1. Secili ortak ka të drejtë të përfaqësojë shoqërinë në marrëdhënie me të tretët, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut.
2. Nëse ortakët e përfaqësojnë shoqërinë bashkërisht, deklaratat, të cilat i drejtohen shoqërisë, mund t'i adresohen njërit prej ortakëve, me të drejtë përfaqësimi. Administratorët, të cilët kanë të drejtë ta përfaqësojnë shoqërinë në mënyrë të përbashkët, mund të autorizojnë disa prej tyre për kryerjen e disa veprimeve apo kategorive të caktuara veprimesh.
3. Çdo përjashtim i ortakëve nga e drejta e përfaqësimit, çdo vendim për përfaqësim të përbashkët apo çdo ndryshim në të drejtat e një ortaku për përfaqësim njoftohen për regjistrim pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Neni 39
Njoftimi i dorëheqjes dhe heqja e të drejtave për përfaqësim

1. Përfaqësuesi i shoqërisë mund të japë dorëheqjen nga detyrat e tij, nëpërmjet një njoftimi paraprak, dhënë në një kohë të përshtatshme dhe duke pasur parasysh mundësitë e përfaqësuesve të tjerë, për të vijuar veprimet e ndërmarra nga përfaqësuesi i dorëhequr.
2. Ortakut mund t'i hiqet tagri i përfaqësimit me vendim të gjykatës përkatëse, me kërkesë të ortakëve të tjerë, veçanërisht në rastet e shkeljes së rëndë të detyrave të përfaqësimit apo të paaftësisë, për t'i përmbushur ato në mënyrë të rregullt.

Neni 40
Përgjegjësia personale e ortakëve

1. Ortakët përgjigjen personalisht e në mënyrë solidare për detyrimet e shoqërisë me të gjitha pasuritë e tyre. Çdo marrëveshje, në kundërshtim me këtë dispozitë, nuk prodhon efekte ndaj palëve të treta.
2. Kreditori personal i ortakut mund të ekzekutojë kreditë, që ka ndaj këtij të fundit, duke ekzekutuar kreditë që ortaku ka ndaj shoqërisë, si dhe pjesën që ky ortak zotëron në shoqëri. Kreditori mund të kërkojë ekzekutimin e kredive, në përputhje me nenet 581 deri në 588 të Kodit të Procedurës Civile.

Neni 41
Prapësimet

Nëse një kreditor ngre padi ndaj një ortaku për detyrimet e shoqërisë, atëherë ortaku mund të mbrohet duke ngritur ndaj kreditorit prapësime, që i përkasin personalisht ortakut, si dhe ato që i përkasin shoqërisë.

Neni 42
Përgjegjësia e ortakut të ri

Personi, që fiton cilësinë e ortakut në një shoqëri kolektive ekzistuese, merr përsipër detyrimet e shoqërisë, përfshirë këtu edhe detyrimet që ekzistonin përpara se ai ta fitonte këtë cilësi. Çdo marrëveshje në kundërshtim me këtë dispozitë nuk prodhon efekte ndaj palëve të treta.

TITULLI IV
PRISHJA E SHOQËRISË KOLEKTIVE DHE LARGIMI I ORTAKËVE

Neni 43
Shkaqet e prishjes së shoqërisë

Shoqëria kolektive prishet:
a) kur mbaron kohëzgjatja, për të cilën është themeluar;
b) me vendim të ortakëve;
c) me hapjen e procedurave të falimentimit;
ç) me vendim gjykate;
d) nëse nuk ka kryer veprimtari tregtare për dy vjet dhe nuk ka njoftuar pezullimin e veprimtarisë, sipas pikës 3 të nenit 43 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit";
dh) në raste të tjera, të parashikuara në statut.

Neni 44
Largimi i ortakut

Përveç rastit kur statuti parashikon ndryshe, ngjarjet e mëposhtme nuk kanë si pasojë prishjen e shoqërisë, por largimin e ortakut:
a) vdekja e një ortaku;
b) hapja e procedurave të falimentimit ndaj një ortaku;
c) njoftimi i ortakut për largim nga shoqëria;
ç) njoftimi i kreditorit personal të ortakut në rrethanat e përshkruara në nenin 46 të këtij ligji;
d) vendim i ortakëve të tjerë;
dh) raste të tjera të parashikuara në statut.

Neni 45
Njoftimi i ortakut për largim nga shoqëria

Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut, nëse shoqëria është themeluar për një kohëzgjatje të papërcaktuar, secili ortak mund të largohet nga shoqëria, duke njoftuar me shkrim ortakët e tjerë 6 muaj përpara. Në raste të justifikuara mund të zbatohet një njoftim me afat më të shkurtër.

Neni 46
Njoftimi nga kreditori personal i ortakut

Nëse kreditori personal i ortakut nuk ka arritur të ekzekutojë kreditë e tij ndaj këtij të fundit, në bazë të një vendimi gjyqësor, atëherë, brenda 6 muajve nga kërkesa, kreditori ka të drejtë t'i kërkojë shoqërisë likuidimin e pjesës që zotëron ortaku në shoqëri. Dispozitat e pikës 2 të nenit 40 të këtij ligji mbeten të zbatueshme edhe në këtë rast.

Neni 47
Prishja e shoqërisë me vendim gjykate

Shoqëria mund të prishet me vendim gjykate për shkaqe të arsyeshme, në bazë të padisë së ngritur nga një ortak e, në mënyrë të veçantë, nëse njëri prej ortakëve, me dashje ose si pasojë e pakujdesisë së rëndë, nuk ka kryer detyrat e caktuara në statut, apo nëse kryerja e këtyre detyrave është bërë e pamundur.

Neni 48
Përjashtimi i ortakut

Në rrethanat e parashikuara në nenin 47 të këtij ligji, gjykata, në bazë të padisë të ngritur nga një ortak, mund të vendosë të përjashtojë ortakun përgjegjës dhe të mos vendosë prishjen e shoqërisë.

Neni 49
Ndarja e pjesës së ortakut që ikën

1. Pjesa e secilit ortak, që largohet nga shoqëria kolektive, ndahet në mënyrë proporcionale ndërmjet ortakëve të mbetur, me përjashtim të rasteve kur largimi është pasojë e falimentimit, njoftimit të kreditorit apo për raste të tjera të parashikuara në statut. Ortakët e mbetur janë të detyruar t'i paguajnë ortakut të larguar, kreditorëve apo trashëgimtarëve të tij, në përputhje me rregullat e trashëgimisë, vlerën që ai do të kishte përfituar nëse shoqëria do të ishte prishur në çastin e daljes së tij, duke pasur parasysh edhe veprimet ende të papërfunduara.
2. Nëse vlera e aktiveve të shoqërisë nuk është e mjaftueshme për të përballuar të gjitha detyrimet e saj, ortaku që largohet apo trashëgimtarët e tij, në përputhje me rregullat e trashëgimisë, përgjigjet për diferencën, në përpjesëtim me pjesën e humbjeve të shoqërisë, që i takojnë.
3. Në rast përjashtimi, sipas nenit 48 të këtij ligji, ortakët mund të zbresin nga shuma e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, vlerën e dëmit të mundshëm, që shoqëria ka pësuar nga mospërmbushjet e ortakut.

Neni 50
Procedura për rastet kur mbetet vetëm një ortak

1. Kur, për çfarëdo arsye, shoqëria kolektive mbetet me një ortak të vetëm, atëherë ai është i detyruar që, brenda 6 muajve nga ngjarja e këtij fakti, të marrë masat e nevojshme për ta përshtatur shoqërinë me kërkesat e këtij ligji, apo në mënyrë alternative t'i kalojë veprimtarinë e saj një shoqërie të themeluar rishtazi, që pranon ekzistencën e një ortaku të vetëm ose të vazhdojë ushtrimin e veprimtarisë duke u regjistruar si tregtar.
2. Nëse brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, ortaku i mbetur nuk regjistron një prej veprimeve si më sipër në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, shoqëria kolektive vlerësohet e prishur dhe likuidohet sipas dispozitave të këtij ligji. Çdo person i interesuar mund t'i drejtohet gjykatës për të konstatuar prishjen e shoqërisë.

Neni 51
Vazhdimi i shoqërisë nga trashëgimtarët

1. Shoqëria kolektive vazhdon ta ushtrojë veprimtarinë me trashëgimtarët e ortakut të vdekur, nëse lejohet në statut dhe pranohet nga trashëgimtarët.
2. Trashëgimtarët mund të ushtrojnë të drejtën e përmendur në pikën 1 të këtij neni, brenda 30 ditëve nga data, në të cilën gjykata përkatëse, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, lëshon dëshminë e trashëgimisë.

Neni 52
Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit

Të gjithë ortakët janë të detyruar të njoftojnë Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për regjistrim, në përputhje me nenin 43 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit", për aktet, faktet e prishjes dhe largimit të ortakëve.
Nëse prishja bëhet me vendim gjykate, gjykata ia njofton vendimin Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për regjistrim, sipas nenit 45 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".

TITULLI V
LIKUIDIMI I SHOQËRISË KOLEKTIVE

Neni 53
Likuidimi i shoqërisë kolektive në gjendjen e aftësisë paguese

Prishja e shoqërisë kolektive në gjendjen e aftësisë paguese ka si pasojë hapjen e procedurave të likuidimit, sipas neneve 190 deri 205 të këtij ligji.

Neni 54
Parashkrimi i padive ndaj një ortaku

1. Me përjashtim të rasteve kur padia ndaj shoqërisë kolektive ka një afat parashkrimi më të shkurtër, paditë ndaj një ortaku për detyrimet e shoqërisë kolektive ngrihen brenda 3 vjetëve pas prishjes së saj.
2. Parashkrimi nis në datën kur është regjistruar prishja e shoqërisë.
3. Nëse detyrimi ndaj shoqërisë kolektive bëhet i kërkueshëm pas regjistrimit të prishjes, parashkrimi nis në datën kur detyrimi bëhet i kërkueshëm.
4. Ndërprerja e parashkrimit për detyrimet e shoqërisë kolektive zbatohet edhe ndaj personave, që kanë pasur cilësinë e ortakut në çastin e prishjes.

Neni 55
Parashkrimi në rastin e largimit të ortakut

Ortaku i larguar nga shoqëria përgjigjet për detyrimet e shoqërisë që kanë lindur përpara largimit të tij, nëse këto detyrime kanë lindur përpara 3 viteve nga data e këtij largimi. Parashkrimi nis në datën e regjistrimit të largimit të ortakut.

PJESA III
SHOQËRIA KOMANDITE

Neni 56
Përkufizimi

1. Shoqëri komandite është shoqëria, në të cilën përgjegjësia e të paktën njërit prej ortakëve është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, ndërsa përgjegjësia e ortakëve të tjerë nuk është e kufizuar. Ortaku, përgjegjësia e të cilit është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, quhet ortak i kufizuar. Ortaku, përgjegjësia e të cilit nuk është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, quhet ortak i pakufizuar. Ortaku i pakufizuar ka statusin e ortakut të shoqërisë kolektive.
2. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe, dispozitat që rregullojnë shoqërinë kolektive janë të zbatueshme edhe për shoqërinë komandite.

Neni 57
Regjistrimi

1. Shoqëria komandite regjistrohet sipas neneve 26, 28, 32 e 34 të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
2. Nëse shoqëria komandite ka krijuar faqe të saj në internet, të dhënat që i njoftohen për regjistrim Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, publikohen në këtë faqe dhe u vihen në dispozicion personave të interesuar.

Neni 58
Marrëdhëniet ndërmjet ortakëve

Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në statut, marrëdhëniet ndërmjet ortakëve rregullohen nga nenet 59 deri 61 të k&
Share on Facebook

Printo  
© Copyright: Alblink 2008