| Shtuar me date:2010-07-15 22:01:41 WASHINGTON, 15 korrik 2010 – ( BB) - Bordi i Drejtorëve i Grupit të Bankës Botërore diskutoi sot Strategjinë e re të Partneritetit të Vendit (CPS) për Shqipërinë, e cila përbën kuadrin për asistencën e Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë për vitet 2011 – 2014.
Strategjia e re është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin dhe bazohet në një dialog të gjerë dhe të vazhdueshëm me Qeverinë e Shqipërisë dhe në konsultimet me të gjithë partnerët e zhvillimit.
CPS e re e përbashkët Bankë Botërore-IFC parashikon financime deri në 275 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), dhe deri në 120-150 milionë USD nga IFC për periudhën katër vjeçare.
“Shqipëria është një histori zhvillimi e suksesshme në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm para në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik prëgjatë dekadës së shkuar,” tha Jane Armitage, drejtoreshë e Bankës Botërore për Vendin dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.
“Megjithatë, sikurse edhe fqinjët e vet, Shqipëria tani përballet me një mjedis të jashtëm më të vështirë, si rezultat i krizës globale financiare. Grupi i Bankës Botërore ka një partneritet të gjatë dhe të frutshëm me Shqipërinë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë mbështetjen tonë për ta ndihmuar Shqipërinëpër të ruajtur ritmet e larta të rritjes, menaxhimin e mirë ekonomik dhe uljen e varfërisë.”
Armitage theksoi se, “Strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë rimëkëmbjen e ritmeve të rritjes së Shqipërisë përmes përmirësimit të konkurrueshmërsë, dhe në të njëjtën kohë duke përmirësuar shërbimin arsimor dhe atë shëndetësor dhe duke forcuar rrjetin e mbrojtjes sociale.
Veç kësaj, Strategjia do të ndihmojë Shqipërinë të përballë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, përmes përmirësimit të mbrojtjes dhe menaxhimit të ujit dhe rritjes së shkallës së përgatitjes në rast fatkeqësish.”
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Shqipëria ka qënë një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një rritje mesatare vjetore prej 6 për qind, e shoqëruar me ulje të shpejtë të varfërisë.
Pavarësisht nga kriza globale financiare dhe ekonomike, Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë që ka ruajtur nivele pozitive të rritjes dhe stabilitet financiar në vitin 2009. Veçanërisht për të ardhmen, Shqipëria gjendet para një numri sfidash të rëndësishme, sidomos si rezultat ritmeve të ulëta të rimëkëmbjes në Evropë dhe pasigurive që po ndesh ekonomia greke, një partner ekonomik i rëndësishëm.
“Mbështetur në bashkëpunimin e mëparshëm të susksesshëm të IBRD-së me IFC-në në ndërhyrje të përbashkëta në sectorë të rëndësishëm si p.sh. në energji, IBRD dhe IFC kanë bashkëpunuar qysh në fillim të hartimit të kësaj strategjie për një qasje programatike me focus në sectorë të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë energjinë, rrugët, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve, si dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit,” tha George Konda, ekonomist kryesor në Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore, në IFC.
Strategjia e re do të mbështesë zhvillimin e Shqipërisë dhe do të ndihmojë me sfidat kryesore siç janë: konsolidimi i pozitës fiskale për t’i bërë ballë sfidave të viteve të ardhshëm; përmirësimi i mëtejshëm i eficiencës së shpenzimeve publike duke marrë parasysh ndërkohë nevojat e mëdha infrastrukturore; përmirësimi i zbatimit të reformave rregullatore dhe institucionale për të nxitur konkurueshmërinë dhe investimet; rritja e nivelit arsimor dhe aftësive për të plotësuar kërkesën nga bizneset; dhe përmirësimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve shëndetësore kyc duke u siguruar që të varfrit janë të mbrojtur nga lëkundjet ekonomike.
Gjithashtu, Shqipëria është ndër vendet më të prekshme nga ndryshimet klimatike dhe duhet të menaxhojë sa më mirë burimet ujore dhe përdorimin e tyre në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Programi i përbashkët i CPS i Grupit të Bankës Botërore fokusohet në tre objektiva strategjikë:
* Mbështetja e një rim/k/mbjeje në nivelet e rritjes së Shqipërisë nëpërmjet konkurrueshmërisë së përmirësuar, duke forcuar menaxhimin makroekonomik dhe të shpenzimeve publike, duke përmirësuar klimën e biznesit, duke trajtuar në mënyrë të përballueshme problemet shtrënguese infrastrukturore dhe duke thelluar aksesin në kredi;
* Zgjerimi dhe mbështetja e përfitimeve socialeduke përmirësuar shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore dhe duke krijuar një rrjet të përshtatshëm sigurie; dhe
* Reduktimi i vulnerabilitetet ndaj ndryshimeve klimatike duke përmirësuar ruajtjen dhe menaxhimin e ujit dhe duke rritur përgatitjen në rast fatkeqësish.
Strategjia e re synon një program huamarrjeje më të fokusuar. Ajo përfshin angazhime të koordinuara dhe plotësuese të IBRD-së dhe IFC-së në sektorët e mëposhtëm prioritarë siç janë: infrastruktura kombëtare, përfshirë energjinë dhe rrugët; infrastrukturën bashkiake, kryesisht furnizimin me ujë dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta; dhe mjedisi i biznesit.
Programi i ri pasqyron një fokus nën-rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore vecanërisht në energji, tregti dhe transport, dhe menaxhim fatkeqësish.
Strategjia do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë përmirësimet në qeverisje në Shqipëri nëpërmjet përdorimit të një “filtri qeverisjeje” për të gjithë projektet e financuara nga Banka me qëllim që të promovojë përmirësime në administrim, eficencë dhe transparencë në gjitha strukturat e qeverisë.
Rezultate të Zhvillimit të Shqipërisë
* Gjatë zbatimit të Strategjisë së Asistencës për vendin (CAS) për periudhën 2006 – 2010, Shqipëria ka parë rritje të shpejtë ekonomike të shoqëruar nga një rënie të rëndësishme në varfëri. Pothuajse gjysma e të vafërve të Shqipërisë janë nxjerrë nga varfëria ndërmjet viteve 2002 dhe 2008.
* Në vitin 2008, Shqipëria arriti statusin e të ardhurave të mesme dhe kaloi nga niveli i fondeve koncesionare të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) në huadhënien e IBRD, duke dërguar një sinjal pozitiv për investitorët dhe tregjet e kapitalit. * Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar kuadrin rregullator për biznesin. Kjo është pasqyruar në treguesit dhe renditjen e përmirësuar të ‘Të bërit biznes’.
Shqipëria u zhvendos nga vendi i 136 në vitin 2007 në vendin e 82 në 2010. Për herë të parë në vitin 2008, Shqipëria ishte ndërmjet 10 reformatorëve më të mirë, të cilët e bënë më të lehtë bërjen e biznesit.
* Aktivitetet e mbështetura nga CAS-i që synonin uljen e varfërisë dhe zhvillimin rural rezultuan shumë të suksesshme në rritjen e prodhimtarisë bujqësore, përmes sistemit ujitës të përmirësuar dhe teknologjisë, si dhe duke ndihmuar mbrojtjen e pyjeve të Shqipërisë duke sjellë kështu rritjen e të ardhurave për komunitetet e zonave largëta.
Me të vërtetë, gjatë viteve 2005- 2008, Shqipëria përjetoi një ulje të shpejtë të varfërisë rurale që ndihmoi në ngushtimin e hendekut: rurale – urbane. * Programi i CAS-it ka qenë i dobishëm në mbështetjen e reformave kritike në menaxhimin e shpenzimeve publike, përfshirë një ligj të ri buxhetor dhe ligj të ri të prokurimeve, dhe procedura të menaxhimit të investimeve, si dhe privatizimin e kompanisë shpërndarëse të energjisë elektrike.
Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Që atëherë, 68 projekte me një total prej 1.4 miliardë USD janë mbështetur nga IDA dhe IBRD dhe 10 projekte me një shumë të përgjithshme prej 185 milionë USD janë financuar nga IFC.
Aktualisht në Shqipëri ka 15 projekte aktive në sektorin social, shëndetësi, arsim, burime natyrore, ujë dhe energji, infrastrukturë bashkiake dhe menaxhim i sektorit publik, të cilat po ndihmojnë Shqipërinë të arrijë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social që shtron rrugën për integrimin evropian.
Për më shumë informacion rreth punës së Bankës Botërore në Shqipëri:
http:www.worldbank.org.al
Contacts: In Washington: Kristyn Schrader +1-202-458-2736 kschrader@worldbank.org In Tirana: Ana Gjokutaj +(355-42) 280 655 agjokutaj@worldbank.org
Share on Facebook
|