| Shtuar me date:2010-07-29 19:55:57 BRUKSEL – 29 korrik ( Keshilli i Ministrave ) - Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, u prit në takim nga kryeministri belg Yves Leterme.
Pas takimit kokë më kokë, ku dy Kryeministrat zhvilluan një bisedë të përzemërt e miqësore, Kryeministri Leterme shtroi për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte një drekë në rezidencën kryeministrore.
Gjatë bisedës, Kryeministri Leterme i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve e qeverive, si dhe bashkëpunimin e ngushtë e frytdhënës në shumë fusha.
Në këtë kontekst, Kryeministri Leterme e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Berisha si një shprehje tjetër e vendosmërisë së dy qeverive për të konsoliduar lidhjet e gjithanshme e miqësore midis dy popujve e vendeve miq.
Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Leterme për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, ndërsa vlerësoi të dy marrëveshjet që u nënshkruan sot, marrëveshjen mbi transferimin e personave të dënuar dhe protokollin e bashkëpunimit ndërmjet ministrive të Drejtësisë së të dy vendeve, si një shprehje tjetër e bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e vizitës historike të para disa muajve të Kryeministrit Leterme në Tiranë, si Kryeministri i parë i Mbretërisë së Belgjikës që vizitoi Shqipërinë.
Të dy kryeministrat ripohuan vendosmërinë e dy qeverive për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, në veçanti shkëmbimet ekonomike - tregtare dhe zgjerimin e investimeve belge në Shqipëri, të cilat po tregojnë gjithnjë e më tepër një interes të lartë për të hyre në tregun shqiptar.
Më tej, në takim u diskutua mbi prioritetet e Presidencës belge të radhës së BE-së dhe projektin madhor të integrimit të Shqipërisë. Kryeministri Leterme i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme e totale të Presidencës belge për të ecur përpara e me shpejtësi me hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke shprehur vlerësimin për progresin e rëndësishëm dhe arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, Kryeministri Leterme përshëndeti vendimin e Komisionit për të sugjeruar liberalizimin e vizave pas vlerësimit të ekspertëve dhe shprehu bindjen e thellë për realizimin e ëndrrës së shqiptareve për heqjen e vizave me vendet Shengen gjatë Presidencës belge brenda vitit 2010.
Persë i përket kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, Kryeministri Leterme vlerësoi progresin e madh në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe e siguroi Kryeministrin Berisha se Presidenca belge do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë ne ecjen përpara me hapa të shpejta në këtë drejtim.
“E ardhmja e Shqipërisë është anëtarësia plotë në BE dhe Belgjika do t’ju ndihmojë në të gjitha hapat tuaja drejt BE-së” përfundoi Leterme.
Kryeministri Berisha i bëri një ekspoze të reformave dhe arritjeve gjatë kësaj periudhe duke nënvizuar se qeverisa shqiptare i qëndron përqasjes për një proces të bazuar në performancë si platformë më e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe arritjen e standardeve evropiane për jetën e qytetarëve shqiptarë.
Më tej, të dy Kryeministrat u ndalën në fusha të veçanta të bashkëpunimit për sa i përket energjisë, turizmit, interesit të madh të investitorëve belg për të investuar në Shqipëri.
Duke iu kthyer situatës së shkaktuar nga kriza ekonomike e financiare botërore, Kryeministri Leterme vlerësoi faktin që Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Evropë që nuk u prek nga kriza ekonomike e financiare dhe përgëzoi Kryeministrin Berisha për këtë.
Kryeministri Berisha i bëri me dije, në këtë kontekst, se ishin reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare, si barra fiskale më e ulet në Evropë, taksa e sheshtë në nivelin 10 përqind, investimet e rëndësishme në infrastrukturë deri në 10% të GDP-së, krijimi i klimës më të favorshme përmes thjeshtëzimit të procedurave, modernizimit dhe digjitalizimit të tyre dhe vendosja e one stop shop, si dhe reformat për një qeveri të vogël në dietë, të cilat bënë të mundur që qeveria t’i rezistojë krizës.
Më tej, të dy Kryeministrat diskutuan për zhvillimet në rajon, në veçanti për Kosovën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë pikë u ripohua mbështetja e plotë e deklaratës së përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Ashton. Gjatë takimit, dy Kryeministrat diskutuan për zhvillimet e fundit në rajon.
Kryeministri Leterme shfrytëzoi rastin për t’i shprehur Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Belgjikës ndaj Shqipërisë për kryesimin e radhës së OSBE-së.
Në fund të takimit të dy Kryeministrat zhvilluan një konferencë për shtyp.
Burimi: km.gov.al
|