•  
njofto
Advanced Poll
Kush jane fituesit e zgjedhjeve 2013
Partia Demokratike
PD + LSI + PDIU
Partia Socialiste
PS + AK + FRD
PS + LSI + AK + FRD
PS + AK + FRD + PDIU


View results
Version 2.08
 Kursi Ditor
USD / LEK 109.57
EUR / LEK 139.50
GBP / LEK 173.76
CHF / LEK 115.88
Ndryshimi i fundit: 16.11.2012
Pėr mė shumė

Interesat e Instrumenteve tė Bankės
Marre nga Banka e Shqipėrisė
Basha: Lejet e ndėrtimit, pėr vetėm 55 ditė
Shtuar me date:2012-02-23 18:04:08

Basha: Brenda këtij muaji, sporteli unik për lejet dhe liçencat

Basha: Më 8 Mars, konkursi ndërkombëtar për zgjatimin e bulevardit të Tiranës

TIRANE - 23 shkurt 2012 ( Bashkia Tirane ) - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte sot i pranishëm në lançimin e projektit: 100 biznese kombëtare, 100 produkte kombëtare, 100 ditë aktivitete, për 100 vjetorin e Pavarësisë. “Javët e biznesit kombëtar” është konceptuar si panair i produkteve shqiptare, i cili do të nisë në Tiranë, më datë 14 dhe 15 mars, për të vazhduar më pas në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe në Preshevë.

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha theksoi se ky është një moment i mirë, për të nisur planifikimin për 100 vitet e ardhshme të kombit shqiptar: “Nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, nuk mjafton vetëm patriotizmi i shprehur me fjalë apo me mënyra të tjera. Mënyra më e mirë për të nisur rrugëtimin tonë drejt 100-vjetorit tjetër të kombit shqiptar, në rrethana krejtësisht të tjera nga 1912-a, është t’i përvishemi punës, gjithsecili në fushën e vet”

Zoti Basha ka bërë të ditur lehtësirat që Bashkia e Tiranës po i ofron çdo ditë biznesit, mes të cilave është edhe sporteli unik, që nis funksionimin brenda këtij muaji. Lidhur me një nga problemet më shqetësuese, kohëzgjatjen për marrjen e një përgjigjje për lejet e ndërtimit, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha bëri të ditur se kohëzgjatja nuk do të jetë më shumë se 55 ditë, më e shkurtër se mesatarja e rajonit, që është 75 ditë:

“Ne, këtë muaj, siç kam premtuar inagurojmë sportelin me një ndalesë, shërbimin me një ndalesë, për të gjithë lejet e liçencat. Nëse sot, mesatarja e dhënies së lejeve të ndërtimit në rajon është 75 ditë, qyteti i Tiranës do ta presë këtë në 35 ditë, duke shtuar këtu edhe 20 ditë, të periudhës së detyrueshme për konsultim, nga ligji i ri i Urbanistikës. Çdokush që do të aplikojë për një leje ndërtimi, në qytetin e Tiranës nuk do të kalojë më shumë se 55 ditë pa përgjigje, nga të cilat 35 ditë do të jetë ndërveprimi me Bashkinë e Tiranës, në sportelin me një ndalesë dhe 20 ditë, periudha e shpalljes në regjistrin publik”

Po kështu, zoti Basha bëri të ditur se: “Sot, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim konfirmoi një grant prej 500 mijë eurosh, kontribut i qeverisë italiane, si një nga partnerët e BERZH-it, për fizibilitetin e Stacionit të Ri Multimodal të Pasagjerëve në Tiranë”, ndërsa më datë 8 mars do të zhvillohet konkursi ndërkombëtar për bulevardin e Tiranës:
“7 prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës, më datë 8 mars do i bëjnë një dhuratë jo të zakonshme grave të Tiranës dhe Shqipërisë, duke prezantuar 7 maketet e tyre, për projektin e Bulevardit të ri të Tiranës, nga Stacioni i Trenit, deri tek Parku i Paskuqanit dhe të lumit të Tiranës, si dhe rikonfigurimin urban të 14 km katrorë, 1/5 të Tiranës.

Hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar, për të marrë pjesë në një vepër, që edhe kjo është për 100 vitet e ardhshme, sikundër bulevardi që kemi trashëguar provoi të ishte një vepër për 100 vitet e kaluara, apo 80 vitet e kaluara. Ky konkurs do të jetë i hapur për publikun, do të jetë i hapur për mediat, por ky konkurs duhet të shikohet me mendje të hapur nga kushdo që beson tek energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do i kosiderojë të gjithë ata partnerë potencialë, për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, faktikisht dyfishimit të qytetit të Tiranës, në kuptimin urban të fjalës, si aleatë të vetë, në përmbushjen e kësaj axhende ambicioze”.
 
Në vijim fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha:

Të nderuar zonja e zotërinj, pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva!

“Për mua është kënaqësi, që sëbashku me mikpritësit tuaj shqiptarë, t’ju uroj mirëseardhjen sot në Tiranë. Siç e dini, Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht, i kemi dhënë mbështetje të plotë këtij projekti. Ky është një vit shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, është viti kur festojmë 100-vjetorin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar dhe natyrisht ka vend për festë, ka vend për një sërë aktivitetesh, të planifikuara tashmë nga qeveria e Shqipërisë, ku do të përkujtohen momentet historike që çuan tek 28 Nëntori i 1912-ës, kontributet dhe domethënien e këtyre 100 viteve pavarësi, por ka akoma më shumë vend, që ne në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim të plotë me njëri-tjetrin, të nisim të planifikojmë 100 vitet e ardhshme të kombit shqiptar dhe këtu nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë, nuk mjafton vetëm patriotizmi i shprehur me fjalë apo me mënyra të tjera. Mënyra më e mirë për të nisur rrugëtimin tonë drejt 100-vjetorit tjetër të kombit shqiptar, në rrethana krejtësisht të tjera nga 1912-a, është t’i përvishemi punës, gjithsecili në fushën e vet.

Në këtë kuadër, sikundër pata kënaqësinë të ndaj mendimin me z.Shahini, por edhe me përfaqësues të tjerë, me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Kryetarin e Komunës së Prishtinës, të dy ishin mysafirë në Tiranë, njëri pas tjetrit, me autoritete të tjera, Kryetari i Komunës së Preshevës, me të cilin u takova para tre muajsh, me Kryetarin e Tuzit, me autoritetet e Komunës së Ulqinit, ka vend për një analizë konkrete dhe realiste të stadit ku jemi dhe për vënien e objektivave të rëndësishme për ku duhet të jemi.

100 biznese kombëtare, sot çelin siparin e këtij aktiviteti në Tiranës, që pas kësaj do të zhvendoset në mënyrë simbolike, në qendrat e tjera pjesëmarrëse, në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Preshevë, Mal të Zi dhe kudo tjetër dhe ky është një rast shumë i mirë, për të vazhduar këtë dialog që sapo kemi nisur, por dialogu në vetvete është i pamjaftueshëm, ekspozimi është i pamjaftueshëm. 

Nëse ne nuk biem dakord, për qëllime, të cilat për nga ambicja, sigurisht nuk mund të krahasohen me ato vendime të mëdha të 100 viteve më parë, apo katër viteve më parë, por nuk duhet të jenë, nuk duhet të mbeten krejtësisht jashtë atij rrafshi. Ne duhet t’i vëmë vetes qëllim, pikë së pari që ekonomia shqiptare, ekonomia kombëtare, pavarësisht se ku ushtrohet, si rezultat i kufijve shtetërorë, të cilët i respektojmë dhe që i shohim jo si pengesa, por si një realitet bashkëpunimi që do të na çojë drejt shqiptarëve pa kufij në Bashkimin Evropian, por megjithatë shqiptarët duhet të angazhohen, që të kreditojnë dhe vetëkreditojnë ekonomitë e tyre, duke blerë e shitur produkte shqiptare.

Analiza e parë që kërkohet këtu është se ku janë potenciale, cili është 100-milion euro i pare, që do të ridrejtohet nga tregjet e tjera, tek tregu shqiptar, cilat janë bizneset që do e marrin përsipër këtë, brenda rregullave të ekonomisë së tregut, cili do të jetë ritmi me të cilin këto 100 milionë euro do të rikreditojnë tashmë ekonominë shqiptare, në vend që të treten në llogaritë bankare të ekonomive dhe shteteve të tjera. Vetëm pasi të kemi bërë këtë, mund të themi se simbolika e 100 bizneseve, në 100 - vjetorin e Pavarësisë, simbolika e këtyre panaireve, në komunat shqiptare, që sapo i përmendën, ka me të vërtetë rezultat.

Unë kam besim të plotë që do të ketë, se përndryshe Bashkia e Tiranës nuk do të ishte mbështetëse e fortë e kësaj iniciative dhe një nga themeluesit apo bashkëorganizatorët e këtij aktiviteti, por përveç besimit, Bashkia e Tiranës ka vendosur në një rrafsh konkret të gjithë angazhimet që i takojnë, që edhe në këtë 100-vjetor, ne t’i ofrojmë një realitet të ri biznesit, biznesit shqiptar, biznesit të Tiranës, biznesit shqiptar kudo që gjendet dhe investitorëve të huaj, por më lejoni shkurtimisht t’ju them se cilat janë këto pika kryesore tek të cilat po përqëndrohemi:

Ju jeni informuar për reformën e taksave dhe tarifave, jo vetëm jeni informuar por edhe e keni përkrahur atë në nivele të ndryshme. Ne hoqëm 60 tarifa dhe taksa si dhe kaluam akte në Këshillin Bashkiak, të cilat bëjnë të mundur përjashtimin për katër vjet nga taksat, të të gjithë atyre që punësojnë mbi 50 qytetarë të Tiranës.

Plani Urbanistik po bëhet në konsultim të plotë me biznesin dhe këtu ka vend dhe unë ftoj edhe Dhomat e Tregtisë së Prishtinës, Shkupit dhe përfaqësuesit e biznesit të Preshevës, Malit të Zi të jenë të pranishëm, sepse Tirana është shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Ky Plan Urbanistik, duke respektuar parimet mbi të cilat ka nisur, ato të Tiranës së shekullit të XXI, të Tiranës moderne Europiane, të zhvillimeve për 100 vitet e ardhshme, për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme, ka vend që të ketë observimin, pse jo dhe pjesëmarrjen e faktorit shqiptar kudo që ndodhet, jo vetëm brenda Tiranës, jo vetëm brenda Shqipërisë dhe unë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës jam i hapur për këtë.

Në këtë kuadër, ne po ecim përpara edhe me investimet strategjike që kemi deklaruar para jush. Sot, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim konfirmoi një grant prej 500 mijë eurosh, kontribut i qeverisë italiane, si një nga partnerët e BERZH-it, për fizibilitetin e Stacionit të Ri Multimodal të Pasagjerëve në Tiranë. Ju siguroj, se kjo është vepra më e madhe e kësaj natyre, në territoret shqiptare. Kjo është një vepër që do të bashkojë Stacionin e ardhshëm të Trenit, të Tramit, të autobusëve interurbanë që vijnë nga të gjithë rrugët, duke përfshirë edhe Rrugën e Kombit, si dhe një qendër multifunksionale tregtare dhe financiare, me një vlerë minimale prej 20 milionë eurosh dhe biznesi shqiptar kudo që ndodhet në Tiranë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Preshevë, në Mal të Zi është i mirëpritur të bëhet pjesë e këtij konçesioni, do të thoja “historik” për nga përmasat dhe shumë të rëndësishëm për nga funksionaliteti, jo vetëm për qytetarët e Tiranës, por për të gjithë ata që ndodhen në Tiranë në mënyrë të përditshme, të përjavshme, apo të përmuajshme, që do të thoja se çdo tre muaj këtu kalon të paktën 2/3 e kombit shqiptar.

7 prej 20 studiove më të mira arkitekturore të botës, me datë 8 mars do i bëjnë një dhuratë jo të zakonshme grave të Tiranës dhe Shqipërisë, duke prezantuar 7 maketet e tyre, për projektin e Bulevardit të ri të Tiranës, nga Stacioni i Trenit, deri tek Parku i Paskuqanit dhe të lumit të Tiranës, si dhe rikonfigurimin urban të 14 km katrorë, 1/5 të Tiranës. Hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar, për të marrë pjesë në një vepër, që edhe kjo është për 100 vitet e ardhshme, sikundër bulevardi që kemi trashëguar provoi të ishte një vepër për 100 vitet e kaluara, apo 80 vitet e kaluara.

Ky konkurs do të jetë i hapur për publikun, do të jetë i hapur për mediat, por ky konkurs duhet të shikohet me mendje të hapur nga kushdo që beson tek energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do i kosiderojë të gjithë ata, partnerë potencialë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, faktikisht dyfishimit të qytetit të Tiranës, në kuptimin urban të fjalës, si aleatë të vetë, në përmbushjen e kësaj axhende ambicioze.

Përmenda taksat, por ne këtë muaj, siç kam premtuar inagurojmë sportelin me një ndalesë, shërbimin me një ndalesë, për të gjithë lejet e liçencat. Nëse sot, mesatarja e dhënies së lejeve të ndërtimit në rajon është 75 ditë, qyteti i Tiranës do ta presë këtë në 35 ditë, duke shtuar këtu edhe 20 ditë, të periudhës së detyrueshme për konsultim, nga ligji i ri i Urbanistikës. Çdokush që do të aplikojë për një leje ndërtimi, në qytetin e Tiranës nuk do të kalojë më shumë se 55 ditë pa përgjigje, nga të cilat 35 ditë do të jetë ndërveprimi me Bashkinë e Tiranës, në sportelin me një ndalesë dhe 20 ditë periudha e shpalljes në regjistrin publik.

Ju them këto, jo për t’u mburrur, apo për të treguar se sa të angazhuar jemi, sepse natyrisht jemi të angazhuar dhe për këtë jemi zgjedhur, por ju them se sa konkretë duhet të jemi, në atë çka marrim përsipër dhe personalisht jam i bindur, se ky fillim i mbarë sot do të çojë në marrjen e angazhimeve konkrete, për agro-biznesin në veçanti, por edhe për industritë e tjera dhe unë do ta konsideroj të suksesshëm këtë ndërmarrje, këtë aksion unik në historinë e biznesit shqiptar, në kuptimin kombëtar të fjalës, vetëm kur më 28 Nëntor, ne të ulemi e të shohim nëse e kapëm apo e tejkaluam targetin e njëqind milionë euro, të cilat nuk duhet të dergjen më, në konto bankare jashtë ekonomisë të shqiptarëve, por duhet të ridrejtohen tek ekonomitë e shqiptarëve dhe të kreditojnë ekonomitë e tyre, kudo që jetojnë dhe ky të jetë vetëm fillimi”


Burimi: Bashkia Tirane
Zyra e Shtypit

Share on Facebook

Printo  
© Copyright: Alblink 2008