Doktor Al Abudi u shpreh: “Konferenca e ketij viti eshte ndertuar mbi pervojen e suksesshme te dy konferencave te meparshme, te cilat kane shtruar tashme shina per investimet. Keto konferenca ia kane dale te krijojne hapesire ne axhenden globale te investimeve, duke u shnderruar ne nje mundesi te vlefshme per te gjithe ne per t’u takuar, per te forcuar partneritetin tone nderkombetar ne eksplorimin e prospekteve te investimeve, pertej kufijve mes Shqiperise dhe vendeve tona anetare”.
“Ne dy ditet ne vijim, kjo Konference do te perpiqet te shperfaqe plotazi Shqiperine si nje vend ideal per investime dhe zgjerim biznesi. Le te bashkohemi te gjithe per te garantuar se produkti i kesaj Konference do te permbushe pritshmerite e shqiptareve”.
Tirane, 6 Qershor 2012 ( Comport ) - “Grupi IDB eshte duke diskutuar me Qeverine Shqiptare dhe disa partnere nga sektori privat, hartimin dhe prezantimin e disa projekteve strategjike, te cilat me vullnetin e Zotit, do te permiresojne ekonomine dhe mireqenien e njerezve ne Shqiperi. Perfitoj nga ky rast per te garantuar Qeverine dhe shqiptaret se pertej efekteve te krizes financiare boterore dhe renies ne ekonomite e medha boterore, IDB Grup do te jete me ju si institucioni juaj, si edhe ka qene me pare, per te mbeshtetur rritjen tuaj social – ekonomike, e cila ju prin drejt stabilitetit dhe mireqenies.
Grupi IDB gjithashtu do te ruaje dhe nxise maredhenie te forte me partneret nga Grupi i Kordinimit te institucioneve financiare multi dhe bilaterale, sic jane OFID dhe Fondi Saudit, perfaqesuesit e te cileve jane sot ketu me ne; te gjithe per te mbeshtetur nje angazhim me te forte dhe me shume projekte ne sektoret publike dhe privat ne Shqiperi. ”
Deklarata per shtyp e Keshillit te Ministrave Kryeministri Berisha ftoi sot, biznesmenët nga 30 vende të botës, pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga AIDA (Agjencia Shqiptare për Investime dhe Zhvillim) dhe BIZH (Banka Islamike për Zhvillim), për të shfrytëzuar mundësitë e jashtëzakonshme që Shqipëria ofron për biznes e investime, ndërsa garantoi se projektet e tyre do të jenë një histori suksesi.
“Shqipëria - tha Kryeministri - është një vend i vogël, por ajo ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar klimën më të mirë të biznesit, për t’u dëshmuar të gjitha atyre që vendosin ose mendojnë të shndërrojnë në realitet, në këtë vend, ëndrrat e tyre të bukura, projektet e biznesit, një klimë sa më miqësore dhe e vërteta është se disa shifra flasin në favor të kësaj klime.”
Konferenca e organizuar nga AIDA në bashkëpunim me BIZH është e treta që zhvillohet në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve nga 30 vende anëtare të BIZH, funksionarë të kësaj Banke, Drejtorit të Përgjithshëm i Korporatës Financiare Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat, ministra e zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe përfaqësues të biznesit shqiptar. Konferenca fokusohet në sektorin privat dhe gjatë punimeve të saj do të diskutohen projekte të rëndësishme, në fusha të ndryshme të zhvillimit.
Kryeministri Berisha falënderoi Bankën Islamike për Zhvillim për mbështetjen që ka dhënë me financimin e dhjetëra projekteve në sektorë të ndryshëm, duke veçuar financimin e projektit të ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të 8-të, që shkurton ndjeshëm distancën dhe kohën e udhëtimit nga zonat juglindore të vendit drejt Tiranës. “Këto projekte, - tha Kryeministri - shtrihen në të gjithë vendin dhe janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të transformimeve që ka njohur Shqipëria, në këto 20 vite.”
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha bëri një parashtrim të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare, kuadrit makroekonomik dhe fiskal, resurseve natyrore dhe njerëzore, të potencialeve në fushën energjetike, infrastrukturore, turizmit etj..
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare jo vetëm nuk mendon të rrisë taksat, por po mendon si t’i ulë më tej ato, si dhe të krijojë një klimë gjithnjë e më të favorshme, miqësore, me barrën më të vogël burokratike, në mbështetje të biznesit.
Fjala e Kryeministrit Berisha në këtë konferencë: “Të nderuar biznesmenë dhe biznesgra nga 30 vende të botës, edhe një herë një mirëseardhje shumë të përzemërt në Tiranë dhe të shpreh me këtë rast mirënjohjen time më të thellë ndaj Bankës Islamike për Zhvillim, Presidentit të saj Muhamed Ali, mik i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, mik i imi i hershëm dhe i çmuar që shkëlqen sot, me mungesën e tij, në këtë konferencë. Një mirënjohje dua t’i paraqes zotit Al Aboodi, Drejtor i Përgjithshëm i Korporatës Financiare Islamike për Zhvillim, mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ta falënderoj për interesin e tij personal dhe të Korporatës Financiare Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat për të ndihmuar këtë sektor në Shqipëri, tashmë në një kohë të vështirë për Europën e më gjerë.
Këto 20 vite, Banka Islamike për Zhvillim ka qenë për Shqipërinë e shqiptarët një partner i shkëlqyer, i cili ka financuar me dhjetëra e dhjetëra projekte në të gjitha fushat e sektorët e rëndësishëm, nga furnizimi me ujë tek trajtimi i ujërave, nga vaditja tek rrugët e autostradat, nga shkollat tek qendrat shëndetësore. Këto projekte shtrihen në të gjithë vendin dhe janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të transformimeve që ka njohur Shqipëria, në këto 20 vite. Në kurorën e bashkëpunimit të Shqipërisë me Bankën Islamike do të mbetet segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të 8-të, autostrada Tiranë-Elbasan, e cila ndryshon në mënyrë thelbësore kushtet e lëvizjes dhe transportit jo vetëm për mbi 1.2 milionë shqiptarë që do të vijnë në kryeqytetin e tyre duke kursyer më së paku një orë, por edhe për Republikën e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, të cilët do mund të vijnë në Tirana apo drejt porteve të Shqipërisë në një kohë më të shkurtër e në kushte shumë më të favorshme.
Konferenca e tretë e organizuar nga Banka Islamike për Zhvillim dhe AIDA është pothuajse tërësisht e përqendruar në bashkëpunimin me sektorin privat, por ka edhe një komponent thellësisht të rëndësishëm të partneritetit publik-privat. Kjo konferencë po shqyrton e do të shqyrtojë projekte të një rëndësie kapitale për vendin, siç është ai i hidrocentralit të Skavicës që plotëson në mënyrë përfundimtare kaskadën e Drinit, një prej kaskadave më të mrekullueshme të rajonit e më gjerë.
Zonja e zotërinj,
Shqipëria është një vend i vogël, por ajo ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar klimën më të mirë të biznesit, për t’u dëshmuar të gjitha atyre që vendosin ose mendojnë të shndërrojnë në realitet, në këtë vend, ëndrrat e tyre të bukura, projektet e biznesit, një klimë sa më miqësore dhe e vërteta është se disa shifra flasin në favor të kësaj klime. Kështu, në rast se në vitin 2005 investimet e huaja ishin gjithsej 40 milionë, ose në rast se në 8 vite para vitit 2005, investimet e huaja patën një mesatare prej 38 milionë, në vitin 2010 ato ishin 1 miliardë dollarë. Sipas UNCTAD-it, nga vitet 2007-2012, ato u rritën me 316 përqind. Por, sigurisht, potencialet janë shumë herë më të mëdha. Dua t’ju rikujtoj se në vitin 2009, Shqipëria firmosi në fushën e energjisë kontrata koncesionesh që kapin vlerën e 5 miliardë eurove.
Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për një klimë sa më të favorshme për ju. Dhe sot paraqitemi këtu, para jush, natyrisht, jo të përsosur, por vijnë si një nga 10 administratat në proporcionin më të vogël të planetit. Shqipëria ka një nga 10 qeveritë më dorëshkurtra, në raport me biznesin, në botë dhe një nga 10 administratat më të vogla në botë. Shqipëria ka bërë përpjekje serioze për të lehtësuar burokracinë mbi shpatullat tuaja. Ju e regjistroni biznesin në Shqipëri, brenda pak minutash, me 1 euro. Ne kemi hequr 2/3 e licencave dhe kemi bashkuar të tjerat në një qendër të vetme, e cila po funksionon në mënyrë të shkëlqyer. Me ndihmën e USAID-it, kjo qendër u shndërrua në një histori të vërtetë suksesi. Anketa e bërë dëshmon se 97 përqind e të gjithë atyre që kanë aplikuar në këtë qendër janë të kënaqur, të lumtur dhe shumë të lumtur me të. Shqipëria ishte vendi i parë në botë që vendosi sistemin elektronik 100 pëqind, në prokurimet e saj. Pak muaj më parë, ne u bëmë vendi i parë në botë me koncesione dixhitale tërësore. Së shpejti do të aplikohet blerja e vogël dixhitale. Këto kanë pasur si synim kryesor garën e hapur e të ndershme, luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria ndërkohë është vend i privatizimeve të mëdha. Ne kemi privatizuar të gjitha korporatat tona. Tani, në treg është Albpetroli, me të drejtën e plotë për shfrytëzim e eksplorim në mbarë territorin e vendit, të atij që do e disponojë. Shqipëria disponon aktualisht fushën më të madhe të naftës në Europë. Perspektiva e hidrokarbureve në vend është shumë madhe.
Zonja e zotërinj,
Një barrë tjetër rëndon mbi biznesin kudo në botë dhe kjo është barra fiskale. Qeveria shqiptare beson se taksat e ulëta janë zgjidhja, janë mjeti më i mirë për t’u mbrojtur nga kriza. E themi këtë, sepse nga kjo krizë e madhe e krijuar nga faktorë të shumtë – kriza është multifaktoriale – ka një dhe vetëm një rrugëdalje: të korrigjohen politikat e gabuara zyrtare dhe të mbështetet fuqishëm biznesi. Unë kam bindjen më të thellë se në themelet e kësaj krize qëndrojnë taksat e larta, taksa progresive. Nuk u nxorën kurrë mësime se nga marksizmi nuk mund të ketë të mira!
Ndonëse në Europë, ai ra si sistem, taksa progresive u ruajt si një relikt i doktrinës marksiste. Taksë që imponon informalitetin; taksë që kufizon potencialet investuese; taksë që kufizon mundësinë e rritjes së vendeve të punës. Ndaj edhe ne vendosëm taksën e e sheshtë, me besimin më të madh se ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe i biznesit në këtë vend.
Edhe në këtë periudhë jo të lehtë nuk mendojmë të rrisim taksat, por mendojmë e do të mendojmë si të ulim ato më tej, si t’ju mbështesim juve më shumë. Në fund të fundit, janë burokracitë që sëmurën bizneset, janë praktikat e gabuara që rënduan mbi bizneset, janë sharlatanizmat financiare që sollën këtë krizë. Biznesi si i tillë, ekonomia reale përballet me faktorë, të cilët nuk i krijoi vetë, por ia imponuan. Këtu e shohim ne, rrugën përballimit të kësaj krize që ka pllakosur sot, rajonin e më gjerë.
Po ashtu, krahu i punës në Shqipëri është i shkëlqyer. Përveçse në Kinë, nuk mund të gjeni kund tjetër, madje këtu është edhe më i favorshëm, sepse është i ri, i mirëshkolluar, dinamik, shumë punëtor, fleksibël dhe i vendosur në kontinent, në zemër të tregut më të madh të botës. Kjo përbën një faktor tjetër shumë të rëndësishëm për sipërmarrjen.
Qeveria po krijon zonat e lira ekonomike. Pak vite më parë, McKenzie bëri një studim të luginës Tiranë-Durrës në lidhje me biznesin. Në raportin e saj, kjo kompani e madhe serioze konkludon se kjo luginë, me infrastrukturën moderne që ka dhe me pozicionin e saj, mund të shndërrohet në një Shenzhen të vërtetë për Europën. 800 hektarë tokë publike janë disponibël jo për një, por për disa zona ekonomike të lira për këtë luginë. Unë ju bëj thirrje ta konsideroni seriozisht këtë shans e mundësi.
Shqipëria ka potenciale të mëdha. Ndonëse hartë duket e vogël, në realitet potencialet janë ndër më të mëdhatë që mund të ketë një vend. Ajo ka pasuri të mëdha ujore, një Norvegji në rajonin e vogël të Ballkanit. Në këtë vend janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale. Qeveria ka firmosur 114 kontrata me biznesin privat, për ndërtimin e 327 prej tyre. Rreth 100 hidrocentrale janë në ndërtim e sipër, 46 kanë përfunduar apo janë rindërtuar.
Pra, ka një ethe për energjinë e rinovueshme në Shqipëri. Lumenjtë e saj nuk janë të mëdhenj, por zbresin nga lartësi dhe japin rendimente shumë të mira. Ato janë shumë të përshtatshëm për pik. Ne jemi të vendosur përballë tregut më të uritur e më të fuqishëm energjetik, siç është tregu italian. Dy linja konjeksioni me Italinë janë licencuar nga qeveria shqiptare. Për shkak të vështirësive që ka sektori privat për ndërtimin e tyre, qeveria ka vendosur të bëhet aksionere dhe t’i ndërtojë ato, me nismën e partneritetit publik-privat.
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm turistik. Jo një, por me dhjetëra e dhjetëra miq të mi që vijnë nga Europa e bota më thonë në zyrë se teksa fluturonin, nga avioni kishin parë male me dëborë dhe brigje të kaltra.
Malet, më thonë, na rikujtojnë Zvicrën. Por Zvicër me det. Ndërsa ulen në tokë shohin se nuk është Zvicër, por Zvicër për t’u ndërtuar, me potenciale të jashtëzakonshme. 92 përqind e brigjeve të saj janë të paprekura.
Por brigjet shqiptare të Adriatikut janë më ranoret se brigjet e tjera. Ndërsa Joni ka bukuri mahnitëse, me male që ngrihen nga deti në 2 mijë metra lartësi e krijojnë për pushuesin një mjedis jashtëzakonisht të veçantë. Malet në vetvete, gjithashtu, kanë bukuri mahnitëse dhe janë për t’u zbuluar.
Mijëra e mijëra turistë nga mbarë Europa nisen drejt tyre, për të bërë ecje e për t’i shijuar ato. Në këtë kontekst dua t’ju informoj se qeveria ka vendosur të heqë për 8 vjet, çdo lloj takse, për ata që do të investojnë në zonat malore të Shqipërisë. Në funksion të turizmit, qeveria ka hequr vizat për dhjetëra vende mike, përfshi këtu vendet e Gjirit, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katarin, Kuvajtin, pra, vendet mike të këtij rajoni.
Shqipëria ka transformuar me shpejtësi infrastrukturën e saj. Në vitin 2005, vendi kishte gjithsej 2430 kilometra rrugë të asfaltuara, ndërkohë që mbi 10 mijë kilometra janë asfaltuar gjatë këtyre viteve dhe shumë shpejt, ju dhe qytetarët shqiptarë do mund të vini nga çdo cep i vendit në Tiranë, duke kursyer së paku 70 përqind të kohës suaj.
Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt moshës dixhitale dhe ne po bëjmë gjithçka që ju të gjeni shërbimet më të mira në këtë vend.
Zonja e zotërinj,
Shqipëria është një vend me depozita botërore mineralesh. Ajo ka pellgje të një rëndësie botërore të kromit, nikelit, hekur-nikelit, rezerva botërore bakri, baokside, bazalte dhe së fundi, Shqipëria rezulton të ketë sasi të vlerësueshme ari, platini.
Shqipëria është një vend që i ofron biznesit të Gjirit, vendeve të tjera dhe biznesit nga mbarë bota mundësi e potenciale shumë të mëdha. Ndaj shfrytëzoj rastin t’ju ftoj të investoni në Shqipëri, t’ju garantoj se do të gjeni këtu kushte të favorshme e miqësore, për projektet tuaja, do të gjeni një qeveri që do të bëjë gjithçka, në përputhje me ligjet e vendit, që ju të regjistroni një histori suksesi të vërtetë në Shqipëri. Faleminderit.”
Ne foto: Pamje nga konferenca e zhvilluar me 6 qershor 2012 ne Hotel Tirana, ne Tirane