| Shtuar me date:2009-09-29 20:11:39 TIRANE - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë z. Behgjet Pacolli, Kryetar i Partisë Aleanca për Kosovën e Re, takim i cili u përqëndrua në shkëmbimin e mendimeve lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe lobingun për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. Pasi e falenderoi z. Pacolli, për urimet e përzemërta me rastin e zgjedhjes së tij në postin e Zv/kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Meta e informoi atë për takimet e zhvilluara në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në funksion të shtimit të numrit të vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës. Z. Meta u shpreh: “Rikonfirmoj rëndësinë e madhe që ka forcimi i bashkëpunimit të të gjithë institucioneve të Kosovës dhe të politikës në Kosovë me BE dhe SHBA, me qëllim që krahas kësaj përpjekjeje të jashtëzakonshme që po bëhet për forcimin e institucioneve të reja demokratike të këtij shteti të ri, njëkohësisht dhe paralelisht po punohet edhe për përqasjen sa më të shpejtë drejt standarteve evropiane të të gjithë këtyre institucioneve të reja. Kosova është një rast unik ku është krijuar një shtet i ri i cili, njëkohësisht po përgatitet edhe për t’u integruar në BE”. Ministri i Jashtëm Meta shtoi rreth misionit EULEX se: “Në këtë drejtim, ne vlerësojmë shumë rëndësinë që ka misioni i EULEX dhe funksionalizimi i tij në respekt të Kushtetutës së Kosovës dhe në zbatim të Planit të Ahtisarit sepse besojmë që përmes funksionimit të tij, EULEX do të ndihmojë edhe në përafrimin e standarteve evropiane përsa i takon institucioneve të reja të Kosovës dhe në vecanti, në drejtim të funksionimit të një shteti ligjor, sikurse janë të gjitha vendet e tjera europiane”. Duke shprehur optimizmin e tij për procesin e pandalshëm të zhvillimeve në Kosovë dhe njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të saj, z. Meta konfirmoi angazhimin për të koordinuar hapat me institucionet e Kosovës dhe faktorë të tjerë relevantë për vazhdimin e lobingut. Po ashtu, shprehu bindjen se pavarësia e Kosovës është pakthyeshme, i ka kontribuar paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin tonë, dhe se Kosova ecën e sigurtë përpara drejt konsolidimit të shtetit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit ne strukturat europiane e euroatlantike. “Ne besojmë se proçesi i konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës do të vijojë, ashtu sikurse do të vijojnë edhe njohjet e ndërkombëtarëve. Tashmë, Kosova është një realitet europian, është një realitet i njohur nga shumica e vendeve anëtare të BE, NATO-s dhe jemi të bindur që lidershipi i Kosovës, të gjithë autoritetet e Kosovës, gjithë klasa politike atje, krahas forcimit të këtij shteti të ri, do të punojnë me shumë angazhim edhe për integrimin europian dhe eduroatlantik" Z. Pacolli, nga ana e tij, falenderoi edhe një herë Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Meta, për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën, në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran, si dhe të njohjes së saj ndërkombëtare. “Unë e konsideroj punën e Z. Meta si madhështore, kryesisht me vizitën e tij në Kombet e Bashkuara me diplomacinë ndërkombëtare që shkon drejtpërsëdrejti në interes të njohjeve të reja për Kosovën. E di se 80 përqind e punës së Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka qenë e koncentruar ekskluzivisht për Kosovën për njohjet e reja për Kosovën. Ne duhet të punojmë më shumë me ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe me institucionet shqiptare, të gjejmë mënyrën më të lehtë për të pasur njohje edhe më të mëdha, pasi duhet ta shohim Kosovën shumë shpejt të radhitur me kombet e gjithë botës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi z. Pacolli. Në fund të takimit, z. Pacolli shprehu besimin e tij në vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke shprehur besimin se “Ministri Meta do të jetë gjithmonë i gatshëm të japë kontributin e tij pa limite”.
Publikuar: 29.09.2009 Burimi: mfa.gov.al
Share on Facebook
|