njofto
Advanced Poll
Kush jane fituesit e zgjedhjeve 2013
Partia Demokratike
PD + LSI + PDIU
Partia Socialiste
PS + AK + FRD
PS + LSI + AK + FRD
PS + AK + FRD + PDIU


View results
Version 2.08
 Kursi Ditor
USD / LEK 109.57
EUR / LEK 139.50
GBP / LEK 173.76
CHF / LEK 115.88
Ndryshimi i fundit: 16.11.2012
Pėr mė shumė

Interesat e Instrumenteve tė Bankės
Marre nga Banka e Shqipėrisė
A duhet ndryshuar ligji pėr SHISH?
Shtuar me date:2010-02-08 23:18:54

Petrit Zambaku

ANALIZE – 8 shkurt (Alblink) - Më 20 Janar 2010 mediat kanë njoftuar për miratimin nga Qeveria të projekt ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për SHIK”, projektligj që shumë shpejt, pritet të kalojë në Parlament për tu kthyer në ligj. 

Aktualisht, Shërbimi Informativ Shtetëror, organizohet dhe funksionon në bazë të ligjit Nr. 8391, datë 28.10.1998. Këtij ligji edhe më parë i janë bërë ndryshime, por ato nuk kanë qenë esenciale. Këtë herë ndryshimet që kërkohet të bëhen, prekin thelbin e veprimtarisë së SHISH dhe ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin, veprimtarinë dhe imazhin e tij, prandaj  mendoj që më parë i duhet nënshtruar një diskutimi të gjerë ku përveç të tjerëve, duhet të marrin pjesë dhe specialistë të fushës e juristë të aftë.

Si ish punonjës i SHISH, e vlerësoj shumë të rëndësishëm këtë moment dhe do të dëshiroja që të ekzistonin mënyra, që do mundësonin dhënien e mendimeve në rrugë administrative. Por një gjë e tillë nuk është e mundur, ndaj jam i detyruar t’i drejtohem shtypit. Të  “larguarit” nga puna, fshihen nga memoria e institucionit, sikur të mos kishin ekzistuar. Bashkë me to, fshihet dhe eksperienca. Harrohet se puna dhe kontributi i tyre ka bërë që SHISH të bëjë hapa të rëndësishëm përpara. Ato kanë përgatitur ligjin aktual, që mund të quhet arritje e rëndësishme. E kanë zbatuar me korrektësi e profesionalizëm atë dhe kanë bërë që SHISH të mos përflitet në mjediset politike dhe qytetare. Kanë përgatitur akte nënligjore me nivel të lartë profesional. Kanë përzgjedhur, kualifikuar dhe punësuar pa dallime politike punonjësit e rinj. Kanë forcuar bashkëpunimin  me shërbimet partnere, duke i rritur dinjitetin SHISH-it në momentet më të vështira të ekzistencës së tij, etj. Por ish - punonjësit, ndjehen të denigruar. Ato kanë humbur ndjeshmërinë dhe kurajën për të dhënë dhe mendime thjesht teknike. Unë kam bindjen se të gjithë shqiptarët e duan vendin e tyre, ndaj është i nevojshëm kontributi i të gjithëve. Duke menduar në këtë mënyrë, dëshiroj të shprehem rreth këtij projekt ligji.

Ndryshimet që kërkohet të bëhen, prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me; detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e Drejtorit te SHISH; me afatin e qëndrimit në detyrë të Drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH; si dhe me bashkëpunimin e SHISH me shërbimet e informacionit të vendeve partnere.

Në nenin tre të ligjit për SHISH, ku përcaktohen detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, është shtuar paragrafi a, sipas  të cilit SHISH-it i ngarkohet për detyrë të mbrojë sigurisë kombëtare.
Një formulim i tillë mendoj se është i gabuar, pasi SHISH nuk ka mjete për të bërë një gjë të tillë. Ato që e njohin mirë ligjin organik të SHISH, e dinë se ai është organ thjesht informativ, që mbledh informacion për çështje që lidhen me sigurinë. Janë institucione të tjera ato që shfrytëzojnë këtë informacion dhe mbrojnë sigurinë.

Në paragrafin c të këtij neni është shtuar; se SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Mendoj se një shtesë e tillë është e panevojshme, sepse në bazë të ligjit ekzistues, asgjë nuk e pengon SHISH-in të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale, por dallimi është se, ky korrupsion bëhet objekt i punës së SHISH në rastet kur kjo veprimtari kriminale ka marrë përmasa shqetësuese dhe kërcënon sigurinë. I shprehur në këtë mënyrë, ky paragraf ka më tepër efekt propagandistik se sa impakt profesional. Gjithashtu i jep SHISH-it një pamje jo miqësore përpara administratës shtetërore, gjë që e pengon në aktivitetin e tij.

Në paragrafin c të këtij neni SHISH-it i ngarkohet detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda. Mendoj se ky paragraf është i tepërt dhe duket sikur e vendos SHISH-in nën vartësinë e policisë. Pavarësisht nga ngjashmëria, këto institucione kanë objekt pune të ndryshme. Nuk është e arsyeshme të komplikohen detyrat e SHISH, kur dihet, se ligji ekzistues parashikon se;  për realizimin e detyrave, SHISH-i bashkëpunon me institucionet e tjera, ku përfshihen dhe institucionet e mësipërme. Gjithashtu mendoj se nuk është e nevojshme të vendosen detyra të detajuara në ligj, pasi specialistët e dinë se përveçse nga ligji, SHISH merr detyra në formën e prioriteteve dhe nga Presidenti i Republikës e Kryeministri. Ndaj, mendoj se kjo detyrë mund t’i ngarkohet SHISH-it në mënyrë permanente në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku dhe mund t’i kërkohet llogari për realizimin e saj. Me forcimin institucioneve të mësipërme, që shoqërohet me forcimin rendit e sigurisë në vend, kjo detyrë e gradualisht bie.

Në paragrafin d thuhet se SHISH ka për detyrë të mbledhë me miratim të Kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
Më vjen shumë keq, por nuk mund të mos shprehem, se hartuesit e projektligjit me këtë paragraf komprometojnë rëndë pozitën e Kryeministrit. Nëse shërbimet e informacionit të vendeve të tjera zhvillojnë veprimtari që cenon sigurinë kombëtare dhe që njëkohësisht përbën objekt të punës së SHISH, nuk mundet një kryeministër, cilido qoftë ai të japë apo  jo miratim nëse duhet mbledhur ky informacion.

Në paragrafin e të këtij neni, SHISH-it i ngarkohet detyrë të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore. E shprehur në këtë mënyrë, kjo detyrë është shumë e përgjithshme dhe krijon paqartësi në opinionin publik, kur dihet se SHISH, certifikon vetëm punonjësit e vet, ndërsa për rastet e tjera duhet tu ofrojë informacion të vërtetuar,  institucioneve  që i ngarkon ligji. Ky informacion sipas gjykimit, mund të shfrytëzohet prej tyre dhe për nevoja certifikimi.  

Në nenin pesë ku parashikohen detyrat e Drejtorit të SHISH, është shtuar paragrafi a, sipas të cilit: Drejtori i SHISH është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Në vlerësimin tim përdorimi i termit “operacion” është i pavend, pavarësisht nga dëshira për të sjellë risi në terminologjinë profesionale. Ai është huazuar nga shërbimet partnere, për të cilët ka kuptimin e veprimeve në terren, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, por ato operojnë në rrethana të tjera, që nuk kanë të bëjnë me rrethanat në të cilat operon SHISH. Sipas nenit nëntë të ligjit në fuqi, SHISH-it i ndalohet të kryej veprimtari të karakterit ushtarak dhe policor. Ndaj mendoj që kjo detyrë nuk duhet, pasi ka kuptim shumë të përgjithshëm dhe në këtë rast shkakton “mistifikim” të veprimtarisë së SHISH.

Në paragrafin c të këtij neni, Drejtorit i ngarkohet detyrë të garantojë se SHISH nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike.
Mendoj se kjo detyrë është e përsëritur, sepse ligji aktual e ka të shprehur me më shumë profesionalizëm dhe delikatesë. Neni pesë i ligjit në fuqi e ngarkon Drejtorin të përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike.

Moment tjetër i rëndësishëm në projektligj është dhe përcaktimi i afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë, të drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit të SHISH.
Ky ndryshim ka hapur diskutime në mjedise të ndryshme. Janë bërë komente se Kryeministri dëshiron të shtijë në dorë SHISH-in. Duke qenë i prirur ta shoh këtë ndryshim pa paragjykime, do të thosha se Kryeministri “e ka në dorë” SHISH-in. Ligji që është në fuqi, ja jep atij këtë të drejtë, sepse në nenin katër shprehet: Shërbimi Informativ Kombëtar është institucion qendror, që varet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave.

Në vijim të këtij amendamenti, do ta shtroja diskutimin për këtë shtesë ligjore në rrafshin nëse ndikon pozitivisht ose jo në punën e SHISH-it, si dhe në formulimin e saktë të paragrafit.
Mendoj se formulimi është i mangët. Vendosja e afatit duhej të ishte shoqëruar me parashikimin në ligj të rasteve kur këto drejtues mund të largohen para mbarimit të mandatit.

SHISH-i,  është një institucion i rëndësishëm, por gjithsesi nuk është i asaj rëndësie që e bën të ketë drejtues me mandate kohore të përcaktuara. Është argumentuar se kështu e kanë shumë vende, por mund të them se vendet perëndimore me të cilët kemi shkëmbyer eksperiencë,  nuk e kanë një gjë të tillë. Mendoj se vendosja e afatit i komplikon gjërat. Nëse një drejtues i SHISH, në një periudhë të caktuar të ushtrimit të mandatit të tij shfaq shenja të theksuara paaftësie, ai nuk mund të largohet nga detyra, pa plotësuar një nga kriteret që parashikon ligji për largimin e tij, para përfundimit të mandatit. Nëse një kriter të tillë nuk e ka plotësuar, atëherë ai është i “dënuar” të drejtojë institucionin deri në përfundim të mandatit, pa llogaritur pasojat negative që mund të sjellë. Përfundimisht e gjykoj të panevojshëm shtimin e këtij neni, sepse ligji aktual e ka zgjidhur më thjeshtë, mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të drejtuesve.

Ndryshimi i fundit në projektligj prek nenin 9, ku është ndryshuar paragrafi tre, që ka të bëjë me bashkëpunimin e SHISH me shërbimet informative të vendeve partnere.
Ligji i vitit 1998 e linte të drejtën e bashkëpunimit  me këto shërbime, në gjykimin e drejtuesit të SHISH. Në vitin 2003 është miratuar një vendim qeverie, i cili ja delegonte të drejtën e miratimit të këtij bashkëpunimi Kryeministrit. Ndërsa me ndryshimet që kërkohet të bëhen në ligj, kjo e drejtë kalon ekskluzivisht tek Kryeministri.
Gjykoj se ky ndryshim do të ndikonte pozitivisht, sepse do të shtonte kontrollin e këtij bashkëpunimi, si dhe nuk do të lejonte që këto marrëdhënie të personalizohen, apo të shfrytëzohen për përfitime.  

Duke parë në tërësi përmbajtjen e ndryshimeve që kërkohen të bëhen në ligjin për SHISH, mendoj se puna e bërë për këtë, nuk është serioze. Përmbajtja e ndryshimeve, jo vetëm nuk përmirëson punën e SHISH, por e komplikon më keq atë, duke hapur shtigje për abuzime dhe shkelje të ligjit, ndaj ato nuk duhen miratuar. Ndërsa nga ana ndërtimore projektligji ka shumë amatorizëm.

Duke mos dashur të mbetem në pozitën e atij që vetëm kritikon, rekomandoj të krijohet me ligj, Komiteti për Shërbimet e Informacionit dhe Sigurisë. Komiteti duhet të kryej këto detyra; të ndihmojë Kryeministrin për koordinimin e politikës informative  e të sigurisë. T’i ofrojë Kryeministrit elementet e nevojshëm për koordinimin e aktivitetit të shërbimeve informative dhe të sigurisë. Të analizojë informacionet e shërbimeve informativë dhe të sigurisë. Të hartojë detyra në bazë të situatave përkatëse. Të koordinojë bashkëpunimin me shërbimet informative të shteteve të tjera, etj.

Komiteti duhet të ketë sekretarinë, që drejtohet nga një funksionar i administratës shtetërore, i cili duhet të ketë kualifikimin e duhur.

Në të duhet të marrin pjesë; Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK); Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH); Drejtori i Policisë së Shtetit; Drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU); Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB); Drejtori i Departamentit Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe  Drejtori i Policisë së Kampeve dhe Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Në mbledhjet e Komitetit mund të thirren për të marrë pjesë dhe autoritete civile, ushtarake, ekspertë, etj.

Në gjykimin tim, krijimi i këtij komiteti, do të sillte përmirësim  jo vetëm në punën e SHISH, por edhe në punën e institucioneve të tjera që merren me informacionin. Gjithashtu do të ndikonte pozitivisht në rritjen e sigurisë dhe forcimin e rendit. 

Në përfundim rekomandoj, që zgjidhjet për përmirësimin e punës së SHISH të mos kërkohen vetëm tek ndryshimet ligjore, sepse pjesa më e madhe e tyre ekzistojnë brenda institucionit të SHISH. Por unë nuk dëshiroj të zgjatem më tej në këtë pikë, pasi nuk do të doja që gjendja aktuale e SHISH, të cilën unë e vlerësoj shumë të rëndë, të bëhet objekt shkrimi në gazetë.

Share on Facebook

Printo  
© Copyright: Alblink 2008