| Shtuar me date:2012-04-11 14:18:45 TIRANE - 5 prill 2012 ( Ministria e Bujqesise ) - Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Shërbimi Veterinar Shqiptar të mbështetur nga Projekti PAZA, një projekt i BE-së, nisën Fushatën Kombëtare të Vaksinimit të Bagëtive të Imta kundër Sëmundjes së Brucelozës.
Fushata e quajtur “Një Pikë në Sy” do të zgjasë 45 ditë dhe një ekip prej 750 veterinerësh do të angazhohen për të vaksinuar rreth 2.5 milion dele e dhi si edhe rreth 85 mijë mbajtës të kafshëve dhe persona të tjerë të lidhur drejtpërdrejt apo tërthorazi me to. Studimet kanë treguar se në Shqipëri bruceloza te delet dhe dhitë është e pranishme në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është e përhapur nga jugu i Shqipërisë në rajonin qendror dhe atë verior përgjatë viteve të fundit. Për shkak të lëvizjes së pa kontrolluar të kafshëve sëmundja është përhapur nga zonat e infektuara në zona të pa infektuara. Dy llojet më të përhapura të bakterit Brucela janë:
a. brucela melitensis që shkakton sëmundje te delet dhe dhitë. Ky bakter, që është shumë i përhapur në vendet e Mesdheut, shkakton sëmundje të rënda edhe te njerëzit dhe është e njohur dhe ndryshe si ethet e Maltës, ethet e Gjibraltarit apo ethet e Mesdheut.
b. dhe brucella abortus që shkakton dështim te lopët. Sëmundja e shkaktuar nga ky bakter mund të përcillet edhe tek njerëzit.
Bruceloza te njerëzit në Shqipëri ka qenë gjithashtu objekt i studimit të ekspertëve. Materialet e përgatitura pas këtyre studimeve tregojnë për përhapjen e Brucelozës përgjatë viteve nga jugu i Shqipërisë në qendër dhe veri. Por mendohet se numri real i rasteve mund të jetë më i lartë se numri i deklaruar për shkak të shumë rasteve të pa diagnostikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) një vlerësim më i saktë mbi shtrirjen e sëmundjes në vendet e Mesdheut mund të realizohet duke shumëzuar me tre rastet e raportuara.
Ceremonia e nisjes së Fushatës Kombëtare të Vaksinimit të Bagëtive të Imta kundër Sëmundjes së Brucelozës u mbajt ditën e premte, më 6 prill 2012 në Hotel Tirana International, në Tiranë. Të pranishëm në aktivitet do të jenë Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit z. Genc Ruli, ambasadori i BE në Tiranë, SH.T.Z Ettore Sequi, drejtues të projektit PAZA dhe Shërbimit Veterinar Shqiptar, si drejtues rajonalë dhe ekspertë nga i gjithë vendi.
Projekti PAZA
Share on Facebook
|