| Shtuar me date:2012-04-11 16:56:07 TIRANE - 11 prill 2012 ( Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ) - Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, vazhdon të ngrejë shqetësimin e tij për trajtimin dhe vlerësimin që u behet infermierëve. Kjo, në një kohë, kur siç pohon kreu i këtij institucioni, Sabri Skënderi, “të flasësh për kujdesin infermieror në vite, duhet që të kesh parasysh që ai i ka paraprirë atij mjekësor dhe vetë shkenca infermierore i ka paraprirë shkencës mjekësore. Sepse kujdesi shëndetësor ka buruar si kujdes infermieror”.
Por megjithkëtë, UISH vë re me shqetësim se dhe pse sot kemi një armatë të tërë infermierësh dhe teknicienësh në nivelin infermieror në vend, plot 16 mijë të tillë, që japin kontribut të vlerësuar në kujdesin shëndetësor, përsëri vlerësimi i tyre është i vogël.
“Kjo, vjen për mendimin tim në radhë të parë nga mentaliteti dhe mosdëshira e mirë e mjekëve, të cilët me respektin me punën dhe mbështetjen e këtyre infermierëve, kanë bërë karrierë, kanë marrë tituj dhe grada dhe ofiqe. Në një kohë që duhet të bëhet një vlerësim real i figurave të infermierëve”, pohon lidhur me këtë Skënderi.
Duke shtuar më tej faktin se edhe pse ka vite që dalin infermierë me arsim të lartë universitar, ata ende nuk e gjejnë veten në vendimmarrje etj.
“Rëndësia e tyre është shumë e madhe, por shumë pak është bërë. Infermierët për mua janë të gjithë heronj, ata punojnë 24 orë pranë të sëmurëve, prandaj duhet vlerësuar figura e tyre. Eshtë shumë e rëndësishme puna e tyre dhe puna e një mjeku nuk mund të ketë kurrë sukses, pa punën e mirë të infermierëve”, shton mes të tjerash presidenti i UISH-së.
Duke përfunduar se parë edhe në kuadrin e reformës në shëndetësi, roli i infermieristikës si e tillë dhe punonjësve që përfshihen në kujdesin që ajo ofron, duhet parë me më shumë konsideratë. Pasi, sipas UISH-së, ky kujdes ka qenë pararendës i kujdesit shëndetësor. Dhe historiku i Shqipërisë tregon se ishin infermierët ata që krijuan dalëngadalë bazën e armatës së njerëzve të kujdesit shëndetësor.
Burimi: Urdhri i Infermierit të Shqipërisë Tel: 06923-81614 E-mail: uish_albania@yahoo.com Dispanseria, Tiranë. Share on Facebook
|